Vizita e Barack Obamës në Kubë, e para e një Presidenti amerikan prej 9 dekadash, është një portë shprese për shtetin komunist. Vendi ishullor po bëhet sot gjithmonë e më interesant për investitorët nga e gjithë bota, ndërsa përjeton një dyndje të turistëve amerikanë.

Në listën e bizneseve të lejuara për kubanezët nga viti 2011 gjen lënien e dhomave me qira dhe përdorimin e taksive. Plot 200 profesione rreshtohen aty, përfshirë dhe ato më të çuditshmet siç është mbushja e çakmakëve, thonë mediat gjermane.

Por më fitimprurëset mbeten padyshim degët e lidhura me turizmin, që ka marrë një hov të menjëhershëm pas kapitullit të ri të marrëdhënieve SHBA-Kubë, të çelur nga Obama dhe homologu i tij kubanez, Raul Castro, dhjetorin e 2014-s.

Motoja e ditës është: Shpejt në Kubë, para se të vijnë amerikanët. Vetëm nga fillimi i këtij viti, ishullin e kanë vizituar mbi një milion vetë. Pavarësisht rritjes së çmimeve, hotelet janë të prenotuar deri në 2017-n. Ky konsiderohet një moment i rëndësishëm për rikthimin e Kubës në skenën ekonomike botërore.

Pjesa tjetër e Amerikës Latine lufton me skandale korrupsioni, zhvlerësimin e valutës dhe rënien e ritmit të rritjes ekonomike. Por me gjithë euforinë, investimi në Kubë nuk është fushë me lule. Firmat ankohen për pengesa burokratike dhe mungesën e sigurisë ligjore.

Ndër sektorët e tjerë me potencial të lartë zhvillimi në vend konsiderohet ekonomia bujqësore, bioteknologjia dhe farmaceutika, por ka ende ilaçe dhe produkte bioteknologjike kubaneze, të cilave nuk u lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara, ndërsa embargoja amerikane e tregtisë, edhe pse me ndryshime, vazhdon të mbetet në fuqi.