Opozita shqiptare deri në Kuvend dorëzoi nismë për interpelancë për punën e kryeprokurorit publik Lubomir Joveski. Deputetët e Alternativës, Lëvizjes Demokratike dhe Lëvizjes Besa në foltoren e Kuvendit thanë se arsyeja bazë e kësaj interpelance është procesi gjyqësorë për djegien e spitalit modular në Tetovë. Deputetja Merita Koxhaxhiku thekson se kryeprokurori Joveski duhet të përgjigjet se si ka ndodhur që të digjen 14 njerëz dhe përgjegjësi të mos kërkohet nga kompania ndërtuese, përgjegjësi të mos kërkohet as nga realizuesi i furnizimit publik dhe të përgjigjet përse nuk është marrë parasysh raporti i forënzikës gjermane dhe për përjashtimin e prokurorit që në fillim ishte caktuar për këtë lëndë”.

“Kjo interpelancë ka për qëllim të ngrejë në debat publik parlamentar pretendimet e rënda se Prokuroria publike ka fshehur fakte dhe informacione gjatë gjithë procedurës për të mbrojtur kështu disi politikën dhe pjesëtarët të elitave të biznesit që kanë qenë të përfshira në ndërtimin e spitaleve modulare që ishin lënda e kësaj tragjedie”, tha Merita Koxhaxhiku, deputete e Lëvizjes Demokratike.

Megjithatë mandati i Joveskit si kryeprokuror i Prokurorisë publike përfundon në fund të këtij viti, ndërsa është në garë për tu bërë gjykatës Kushtetues. I pyetur për këtë çështje se cilat do të jenë pasojat e Joveskit, deputeti Fadil Zendeli thotë nuk ka rëndësi se i përfundon mandati, gjithkush duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet e veta.

“Askush pa marrë parasysh në cilën periudhë të mandatit të tij është nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për veprimet dhe mosveprimet e tij. Ky është edhe një detyrim kushtetues. Z.prokuror Joveski është në detyrë dhe si i tillë duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e tij për rastin e spitalit modular në Tetovë. Kjo është ajo baza e interpelancës, mirëpo ne e dimë se sistem drejtësisë në vend ka shumë vërejtje, ka shumë probleme dhe nënkuptohet se çështje debate do të jetën edhe çështje tjera që lidhen me punën e prokurorit të përgjithshëm”, theksoi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Mbështetje ndaj interpelancës ka shprehur edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoskit.

“Kush është Joveski? Nuk e njohim ne atë njeri, unë as nuk e kam parë e as dëgjuar në 4 vitet e fundit dhe sa kam informacione mandati i tij për disa muaj duhet të përfundoj. A do ta mbështesin? Kuptohet se gjithçka që është që ma shpejt të ikë kjo Qeveri, VMRO-DPMNE do ta mbështesë. VMRO-DPMNE mund të mbështesë çfarëdolloj interpelance përfshire edhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Në bazë të rregullores së Kuvendit, kryetari i Kuvendit është i detyruar që në afat prej 15 ditësh që nga dorëzimi i interpelancës ta vendosë atë në rend ditë në seancë e ardhshme plenare. Nga shërbimet e Kuvendit nuk janë prononcuar se kur do të vendoset në rend dite interpelanca ndaj Joveskit.