Liderët e tri partive opozitare i kanë falënderuar të gjithë qytetarët, të cilët kanë marrë pjesë në protestën e djeshme.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!-s, Visar Ymeri, ka vlerësuar se protesta e 9 janarit ka qenë një ndër më të mira në Kosovë që nga paslufta. Ai ka thënë se nëpërmjet kësaj proteste qytetarët e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar në mënyrë referendumi se janë kundër kësaj Qeverie. “Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë ardhur në Prishtinë për t’i treguar Qeverisë së Republikës së Kosovës se nuk ka as legjitimitet demokratik dhe as institucional që të vazhdojë tutje”, ka thënë Ymeri. 
Ymeri ka deklaruar se  protesta e 9 janarit ka treguar se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi nuk duhet të qeverisin me Kosovën.
Ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar së është ndier i emocionuar me numrin e madh të protestueseve në protestën e djeshme. “Dje kam qenë i emocionuar nga përkrahja e qytetarëve në protestë. Dje i kemi kërkuar Qeverisë që të shkojnë. Sot jemi këtu t’u themi faleminderit të gjithë atyre që fizikisht dje ishin këtu”, ka thënë Haradinaj.
Në anën tjetër, kryetari i Nismës Fatmir Limaj, ka theksuar se protesta e 9 janarit ka pasur mesazhe të qarta. “Ka qenë protestë madhështore dhe paqësore dhe atë protestë askush dhe asgjë s’mund ta zbehë. Qytetarët e Kosovës, pa dallim bindje politike dhe partiake në sheshet e Prishtinë quan dy mesazhe: se Kosova është aktive dhe nuk pranon të qeveriset nga një Qeveri që e ka shkelur Kushtetutën dhe po ashtu ka pasur mesazh për qeveritarët se populli nuk pranon që ju të vazhdoni t’i qeverisni”, ka thënë Limaj.
Të tre liderët opozitarë, kanë deklaruar se opozita do të vazhdojë me protesta për rrëzimin e Qeverisë, por nuk e kanë dhënë datën e protestës së radhës.
opozita