Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje!, AAK-ja dhe Nisma për Kosovën, kanë reaguar ndaj vlerësimit të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët kanë konstatuar se nuk ka pasur shkelje gjatë përcaktimit të kufirit me Malin e Zi.
Sipas opozitës së bashkuar, të gjeturat e ekspertëve  ndërkombëtarë janë vlerësime që janë bërë për nevojat e presidentes Atifete Jahjaga, dhe si të tilla nuk mund të kenë reflektim në domosdoshmërinë e korrigjimit të kufirit me Malin e Zi. “Kufijtë e Kosovës mund t’i caktojë vetëm një komision kredibil shtetëror i Kosovës, i cili mund të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që do të shfrytëzojë dokumente valide, metodologji adapte të punës dhe të dhëna shkencore, por kurrsesi një grup prej tre personash, prej të cilëve vetëm njëri është ekspert i fushës, kurse dy të tjerët janë diplomatë”, është thënë në reagimin e përbashkët të opozitës. 
 
Reagimi i plotë i Vetëvendosje!-s, AAK-së dhe Nismës 
 
Opozita e bashkuar, që me krijimin e Komisionit të ri për demarkacionin me Malin e Zi, ka shprehur skepticizmin dhe kundërshtimin e saj, për shkak se në këtë komision nuk ishte asnjë ekspert vendor dhe në anën tjetër, kishte përcaktuar që metodën e punës ta kishte të njëjtë me atë të komisionit paraprak. Një komision që nuk ka ekspertë vendorë dhe që ka metodë të njëjtë me komisionin e kaluar, nuk kishte se si të sillte rezultate të ndryshme nga ai.
Opozita e bashkuar vlerëson se të gjeturat e këtij ekipi ndërkombëtar për vlerësimin e punës së Komisionit Shtetëror të Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e zi, janë vlerësime që janë bërë për nevojat e presidentes dhe si të tilla nuk mund të kenë reflektim në domosdoshmërinë e korrigjimit të kufirit me Malin e Zi.
 Kufijtë e Kosovës mund t’i caktojë vetëm një komision kredibil shtetëror i Kosovës, i cili mund të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që do të shfrytëzojë dokumente valide, metodologji adapte të punës dhe të dhëna shkencore, por kurrsesi një grup prej tre personash, prej të cilëve vetëm njëri është ekspert i fushës kurse dy të tjerët janë diplomatë. 
Kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në Çakorr dhe në Kullë të Zhlepit, dhe pavarësisht vlerësimit të tre ekspertëve ndërkombëtarë, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, nuk është i pranueshëm për opozitën dhe qytetarët dhe do të kundërshtohet pa kompromis. Mbi 205 mijë qytetarë kanë nënshkruar kundër këtij demarkacioni dhe vullneti i tyre nuk është marrë parasysh as nga presidentja e as nga ky ekip.
 Argumentet e paraqitura nga ky ekip ndërkombëtar se demarkacioni me Malin e Zi është një proces legal e ku nuk ka pasur shpërputhje ndërmjet dy komisioneve shtetërore, nuk qëndrojnë, sepse edhe në një proces legal, e ku nuk ka as shpërputhje, mund të bëhen zgjidhje jolegale, siç ka ndodhur me rastin e Kosovës me Malin e Zi. Kosova nuk ka territore për të falur dhe tërësinë e saj territoriale do ta mbrojmë pavarësisht vendimeve të tilla.