Një raport nga misioni i OSBE-së në Kosovë që flet për zgjedhjet e Serbisë e të cilat u mbajtën edhe në territorin e Kosovës, ka ngritur shqetësim nga institucionet kosovare, por edhe nga komunitetin rom që jeton në Kosovë.

Në këtë raport, OSBE Kosovën e quan “Kosovë dhe Metohi”, ndërkaq komunitetin romë si maxhup. Analistët e vlerësojnë këtë veprim të OSBE-së si fyerje dhe raciste.

Mufail Limani ka shkruar në statusin e tij në Facebook se: “Kjo loja verbale me “qëndrim neutral ndaj statusit”, si dhe ajo me qëndrimin që “Serbia nuk ka për obligim ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, që i bie se mund të vazhdojë ta trajtojë Kosovën si “provincë” të veten, me kalimin e kohës, po kthehet e do të kthehet në një problem themelor për raportet tona me “ndërkombëtaret”. Brezat e rinj sidomos ata që po rriten në liri, nuk do të mund t’i trajtojnë më këto gjera si diçka “vis major”. Ata që një dite do te mund të “befasohen” e të “zhgënjehen” nga “mosmirënjohja” do të jenë ose të paditur ose, në fakt, gënjeshtarë… Aq matematikë, besoj, megjithatë, dimë”, shkruan ai.

Kundër kësaj qasje të OSBE-së ka reaguar edhe Arbana Xharra.

“OSBE për zgjedhjet e Serbisë neve na referohet “Kosova dhe Metohia”. Ne dokumentin e saj zyrtar përdor edhe gjuhë raciste “Cigan Mahalla”. Kosova duhet të reagojë zyrtarisht ndaj kësaj qasjeje të OSBE-së e cila e konsideron ende Kosovën pjesë të Serbisë”, ka shkruar ajo në statusin e saj në facebook.

Ndërkaq, nga komuniteti rom, ka reaguar Bashkim Ibishi i organizatës, “Advancing Together”, i cili e ka quajtur racist këtë dokument dhe pret një reagim nga i pari i OSBE-së, Jan Brahtu.

Ndërkaq Senad Saboviq, zëdhënës i OSBE-së, ka thënë se është një gabim teknik dhe sipas tij, ky nuk është dokument zyrtar, por një poster siç e quan ai, por e pranon se ky dokument është i OSBE-së

Saboviq shtoi se kjo organizatë do të merret seriozisht me këtë çështje, për të parë se si ka ndodhur kjo dhe kush e ka shkruar. Vërejtjet për raportin e OSBE për zgjedhjet serbe në Kosovë, ka pasur edhe kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë që nuk ka asnjë arsye që të vihen në dyshim kushtet e sigurisë për numërimin e votave të serbëve të Kosovës brenda territorit të Kosovës.

Kujtim Paçaku, deputet i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti rom, deklaroi se nuk iu intereson se a është gabim teknik apo me qëllim, por është diskriminim dhe fyerje raciste ndaj komunitetit rom nga Misioni i OSBE-së, që i quan romët “maxhup”. Sipas tij, Kosova e ka një emër e mbiemër, “pra Kosova Republikë e që ka synimin për integrim në BE e NATO”.