OSBE / ODIHR zyrtarisht shpalli të hapur misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të parakohshme në 5 qershor. Misioni kryesohet nga ambasadori Jan Petersen dhe 12 ekspertë ndërkombëtar të cilët prej sot do të qëndrojnë në Maqedoni. 24 vëzhgues afatgjatë do të vendosen në vend më datë 13 prill ndërsa 300 vëzhgues të tjerë do të vëzhgojnë ditën e zgjedhjeve. Misioni do të publikojë dy raporte para zgjedhjeve, një konkluzion një ditë pas zgjedhjeve dhe një raport final, 8 javë pas zgjedhjeve. Petersen nuk komentoi procesin e përgatitjes së vendit për zgjedhje dhe as gatishmërinë e Komisionit Shtetëror Zgjedhor por vetëm tha se misioni që ai drejton tashmë ka vendosur raporte të mira me këtë institucion.

“Raporti final i misionit do të publikohet tetë javë pas mbarimit të procesit dhe do të përmbajë rekomandime se si të përmirësohet procesi zgjedhor dhe do t’ju prezantohet autoriteteve për t’u marrë në konsideratë. Roli jonë është të vëzhgojmë procesin zgjedhor dhe të raportojmë por jo të ndërhymë. Ne nuk jemi të interesuar në rezultatet e zgjedhjeve, por nëse procesi është transparent dhe në linjë me angazhimin e OSBE-së”, deklaroi Jan Petersen, shef i delegacionit të OSBE / ODIHR.