Osmani e Kurti nderojnë vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën: Përulemi para veprës së tyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, kanë kujtuar vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekën në 40-vjetorin e rënies së tyre.

Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook, ka kujtuar aktivitetin patriotik të këtyre heronjve, për të cilin thotë se u ndal dhunshëm në një atentat në Gjermani, ku të tre u vranë nga UDB-ja e Serbisë.

Me anë të disa fotografive të publikuara pranë varrit të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, Osmani është shprehur krenare dhe thotë se përulet para veprës së tyre.

“Secila kohë i ka heronjtë e vetë dhe secili popull u falet atyre. Sot, nderuam kujtimin për heronjtë tanë të përhershëm, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Jemi krenar për këtë brez heronjsh dhe përulemi para veprës së tyre. Kauza e tyre vazhdoi ndër breza dhe u kurorëzua më 17 shkurt 2008, kur Kosova u shpall Republikë e pavarur e sovrane”, ka shkruar ajo.

Sipas shefes së shtetit, derisa kujtohen këta patriotë, ekziston mundësia për reflektim për rrugën e zorshme, “të cilën e ka kaluar populli ynë deri në bërjen e shtetit. Njerëzit si Jusufi, Bardhoshi e Kadriu njëherë hyjnë në histori në mënyrë meritore dhe mbeten përjetësisht aty”.

Më 17 janar janë mbushur 40 vjet nga atentati ndaj vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës.

https://m.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/475888313895713