Ne kemi paralajmërime se opozita do të pengojë reformat në gjyqësor dhe në administratën publike nëse miratohet ligji për gjuhët, tha zëvendëskryeministri Bujar Osmani duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me vonesën e reformave.
Vlerësoi se në përgjithësi procesi po zhvillohet, përveç disa ligjeve të shtyra, por shtoi se ato duhet të miratohen në ditët në vijim.

Osmani gjithashtu komentoi mbi ofertën e udhëheqësit të VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski se partia e tij do të mbështesë planet e reformës së LSDM-së, nëse ligji për gjuhët tërhiqet nga procedura parlamentare.

“Ky është kulm i papërgjegjshmërisë së një partie politike. Të thoni se unë do ta djeg shtëpinë sepse nuk më plotësohet një nevojë momentale është kulmi i mungesës së seriozitetit të një partie politike që pretendon të jetë udhëheqëse e shtetit” deklaroi Osmani.

Sipas tij, deklarata për bashkim monoetnik për të parandaluar mundësinë e ofruar nga Marrëveshja e Ohrit, është anakronike dhe e rrezikshme.

“Nuk kam menduar se dikush mund të thoshte një gjë të tillë në vitin 2018”, tha Osmani.

Ai theksoi se kjo është një deklaratë serioze dhe shpreson të demantohet.

Zëvendëskryeministri theksoi se Qeveria ka një vizion të qartë nga marrja e pushtetit që dëshiron ta arrijë deri në fund të mandatit.

“Ne duam që Maqedonia të ofrojë mundësi të barabarta për të gjithë, dëshirojmë që Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s dhe të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe nuk do të bëjmë kompromis me këto qëllime, as me planet që i kemi bërë për t’i arritur ato këto synime, të cilat janë marrëdhënie ndëretnike, ndërfqinjësore dhe reforma të brendshme”, thekson Osmani.

Ai siguron që të tilla, siç i quan ai, pikëpamje anakronike nuk do t’i dekurajojnë, por përkundrazi do t’i inkurajojnë ata të vazhdojnë dhe të tregojnë se koha e këtyre deklaratave ka kaluar.

Ai theksoi se ata mund të përdorin shumë tema të tjera që do të ofrojnë zgjidhje dhe një jetë më të mirë për qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe jo marrëdhëniet ndëretnike.

“Nëse udhëheqja e re e VMRO-DPMNE-së vazhdon me këtë retorikë dhe këtë fjalor, mendoj se partia nuk ka të ardhme të mirë”, theksoi Osmani.