Sektori për Punë të Brendshme në Gostivar ka ngritur padi për kundërvajtje ndaj drejtorit të ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, seksioni i Gostivarit, për mospastrim e rrugëve rajonale. Padia është ngritur konkretisht për mos pastrim të rrugëve në aksin rrugor mes fshatrave Gradec, Negotinë Vrutok, si dhe në aksin rrugore drejt fshatit Çegran.

“Pas reshjeve të fundit të borës, ndërmarrja në fjalë nuk ka krijuar kushte për lëvizje të sigurt të makinave dhe njerëzve në akset e lartë përmendura rrugore, edhe pse në vendparkimin e ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, seksioni i Gostivarit, kanë qëndruar të parkuara gjashtë makina për pastrim të rrugëve”, -shkruan mes tjerash në dokumentin që arriti të siguroj Televizioni Alsat.

Padinë e ngritur kundër ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë” e ka konfirmuar edhe drejtori i përgjithshëm i saj Gajur Kadriu. Por, sipas tij padia nuk ka bazë ligjore.

Padia për kundërvajtje nuk është ngritur sepse rrugët nuk kanë qenë të pastruara si duhet, por sepse punëtorët e seksionit të Gostivarit, nuk e kanë dëgjuar inspektorin që ka ngritur kundërvajtjen, për t`ia pastruar rrugën private deri tek vikend-shtëpiza e tij – deklaroi Gajur Kadriu.

Ndërkohë, banorët arsyetojnë padinë ndaj ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë” pasi sipas tyre kjo ndërmarrje nuk ka pastruar borën.

“Vetëm për komunën e Vrapçishtit masa nuk kanë marrë asnjëherë, apo shumë rallë, ja sikur e shihni rrugën”, tha një banor.

“Shumë dobët nuk pastrojnë as kripë hedhin”, u shpreh një tjetër  banor.

Për mosmirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit vërejtje ka edhe kryetari i komunës së Vrapçishtit Bajram Kadria.

Rruga regjionale Tetovë Gostivar një pjesë është shumë mirë e pastruar një pjesë nuk është mirë. Varësisht prej operatorëve që e punojnë, pjesën Bogovinë Tetovë dhe pjesën Vrapçisht Gostivar – tha Bajram Kadria, Kryetar i komunës së Vrapçishtit.

Kjo nuk është hera e parë që ndaj ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë” të ngritët për kundërvajtje. Alsat mëson se kjo kompani përballet me shumë padi të ngjashme për mos pastrimin e rrugëve si duhet./Alsat-M