Screenshot_2016-07-11-05-40-52-1Shkruan: Abdulla Mehmeti

Në seancën parlamentare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, të datës 27 qershor 2016, u votua Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit në Tetovë, me të cilin këtij universiteti iu rikthye Fakulteti i Shkencave të Zbatuara, i cili në mënyrë joligjore iu shkëput për t’iu bashkëngjitur Universitetit ,,Nënë Tereza”, në Shkup, i cili është në formim e sipër.

Për miratimin e këtij ligji votuan gjithsej 68 deputetë, prej të cilëve 52 deputetë të partive politike maqedonase dhe 16 deputetë të partive shqiptare.

Nga gjithsej 27 deputetë, me sa janë të përfaqësuara partitë politike shqiptare në këtë organ ligjvënës, për këtë ligj votuan vetëm 16 prej tyre, 9 deputetë nuk ishin të pranishëm, ndërsa dy deputetë edhe pse ishin të pranishme nuk votuan për miratimin e këtij ligji.

Me mosmiratimin e këtij Ligji, mbi 30 mësimdhënës, bashkëpunëtorë dhe të punësuar të tjerë nga Fakulteti i Shkencave të Zbatuara rrezikoheshin të mbeten pa punë, mbi 700 studentë pa të ardhme të sigurt, ndërsa ekonomia e qytetit të Tetovës do të humbte mesatarisht nga 3 milionë euro në vit. Nga ana tjetër, Universiteti ,,Nënë Tereza”, në Shkup, nga e gjithë kjo lojë politike nuk do të përfitonte asgjë, as qyteti i Shkupit, e aq më pak shqiptarët e Maqedonisë.

Se çfarë lojërash luhen në kurriz të shqiptarëve dhe sidomos mbi arsimin shqip, kjo mund të shihet nga niveli i papërgjegjësisë së politikanëve shqiptarë, kur miratohen ligjet, kur hynë në fuqi dhe kur shfuqizohen ata, ndryshohen ose plotësohen, fati i përmbajtjeve dhe cilësisë së këtyre ligjeve përherë mbetet në duart e shumicës parlamentare të partive maqedonase. Edhe ata pak deputetë shqiptarë që thirren se e i përfaqësojnë shqiptarët në parlamentin e këtij shteti, shihet qartë se në radhë të parë i bëjnë llogaritë e veta, për interesa të veta, pa mbajtur përgjegjësi për interesat e përgjithshme të popullatës që e përfaqësojnë. Deri kurë kjo do të jetë kështu, mbetet të shohim. Rrena i ka këmbët e shkurta, thotë populli, por edhe durimi ka kufij!

Tetovë, 11 korrik 2016