Shahu, si njëra ndër lojërat më inteligjente, e krijuar ndonjëherë nga mendja brilante qysh në kohërat e lashta, më vonë e modifikuar, i ka rezistuar me sukses kohës moderne të kompjuterizimit të shoqërisë. Sot ende është shumë aktual në të gjithë Botën, bile në shumë vende të botës është bërë pjesë e plan-programeve shkollore. Së fundmi, shahu nëpër shkolla është futur edhe në Shqipëri dhe Turqi, ka indikacione që edhe te ne të jetë pjesë e programeve shkollore, sepse ndikon në të menduarit logjik, dhe ushtron durimin tek nxënësit

Delvina KËRLUKU

Nexhmedin Sadiku ka lindur në Sllupçan të Komunës së Likovës. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, shkollën e mesme në qytetin e Kumanovës. Ka ndjekur shkollën e lartë pedagogjike – drejtimi matematikë-fizikë, ndërsa ka përfunduar studimet në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Matematikës. Një kohë të gjatë ka punuar në arsimin fillor, ku ka pasur rezultate të shkëlqyera në procesin edukativo-arsimor, sidomos në garat nga lënda e matematikës. Më pas vazhdon të punojë me të njëjtin ritëm në shkollën e mesme të Kumanovës. Vitet e fundit është inkuadruar në politikë. Është dhe anëtarë i Kryesisë Qendrore të Aleancës për Shqiptare. Shumë vite garon në shah, në Ligën e parë për ekipin e Kumanovës. Në planin individual ka pasur rezultate shumë të mira dhe ka qenë fitues i shumë turnirëve në qytet e më gjerë. Është i vetmi shqiptar kampion i qytetit të Kumanovës. Sadiku vjen nga një familje e njohur atdhetare dhe arsimdashëse, por njihen si familje zejtarësh. Në luftën e vitit 2001, familja Sadiku kishte dy dëshmorë. Aktualisht, është drejtor i Qendrës Shtetërore të Provimeve. Ka dy fëmijë, Shpendin dhe Yllin.

KOHA: Do fillojmë drejt me politikë! Profesor, ishit bartës i listës së Aleancës për Shqiptarët, në njësinë e dytë zgjedhore në zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa tani jeni dhe anëtarë i Kryesisë Qendrore të LR-PDSH-së. Keni vendosur më seriozisht t’i kyçeni politikës?

SADIKU: Së pari ju falënderoj për kohën e ndarë. Pyetja është shumë direkte dhe e tillë do të jetë edhe përgjigja. Deri sa unë, profesor Nexhmedin Sadiku, u futa në garën e zgjedhjeve parlamentare të 2016-ës me automatizëm u futa edhe në politikë. Nuk ishte vendim i lehtë, pasi që kishte vite që koncentrimi im intelektual ishte i drejtuar vetëm në arsim, gjegjësisht në matematikë. Vendime të tilla nuk merren aq lehtë, pasi që politika nuk është një gjë e lehtë. Ishin miqtë dhe familja e ngushtë, ata me të cilët jam konsultuar dhe kam kërkuar mendimin e secilit prej tyre. Shumica ishin të mendimit që unë duhet të filloj të merrem me politikë për arsye se kam intelekt dhe moral të duhur, e që këta do të ishin një plus i madh për mua. Kishte edhe nga ata të cilët “nuk e dëshironin” hyrjen time në politikë, për arsye se në politikë qëndrojnë lloje të ndryshme të njerëzve, siç janë ata të pamoralshmit e të pafytyrët, të cilët na nëpërkëmbën me vite të tëra dhe e futën një bindje të keqe te populli që “kush merret me politikë, nuk ka moral”. Domethënë, unë vendosa të hy në politikë, duke u rreshtuar përkrah Aleanca për Shqiptarët, sepse aty takova shumë njerëz të cilët nuk merren me politikë që nga koha e Arben Xhaferit. Takova profesorë shumë të ndershëm, takova mjekë modest, të cilët e kanë treguar veten më herët në profesionin e tyre, takova intelektualë të ndryshëm që vinin prej një situate të njëjtë me mua; politikisht të ri.

KOHA: Meqenëse jeni profesor i matematikës, çfarë kuptimi ka shprehja që shpeshherë përdoret: “2+2 në politikë jo gjithmonë është e barabartë me 4”?

SADIKU: Është pikërisht njëra ndër përgjigjet e lartcekura, kur thash se kishte miq e familjarë, të cilët nuk ishin pro-hyrjes në politikë, shkaku i amoralitet të disa njerëzve të cilët janë brenda saj. Politika studiohet si shkencë në planprograme, edhe pse ajo nuk është shkencë sikur matematika, fizika, kimia, biologjia etj. Nga neglizhenca institucionale, nga premtimet bosh, nga heqja e vijave të kuqe, politika ka bërë shpesh politikanët të përdorin këtë frazë “2+2 në politikë jo gjithmonë bëjnë 4”. Kemi raste shumë të veçanta politike ku 2+2 me të vërtetë nuk bëjnë 4, por këto raste janë më shumë çështje gjeopolitike, gjë e cila nuk mund të gjykohet prej çdo këndvështrimi, por në këndvështrime të caktuara. Dua të them që kjo shprehje nuk është e pavërtetë, por jam kundër përdorimit të saj në shumicën e dështimeve politike dhe premtimeve bosh të politikanëve. Disa herë mendo, para se të flasësh. Akoma më shumë mendo, para se të premtosh!

 

KOHA: T’i kthehemi arsimit. Rangimi i fundit, por edhe i tre viteve të fundit i notës mesatare të maturantëve shqiptarë në testimin e “Maturës Shtetërore”, shkollat shqipe i nxjerr nga vendi i 19-të e më poshtë. Çfarë po ndodh me arsimin e mesëm shqip në Maqedoni, e në veçanti në Kumanovë?

SADIKU: Ndoshta në shikim të parë krijohet përshtypje se në përgjithësi nuk punohet nëpër shkollat me mësim në gjuhën shqipe, por duhet të merren parasysh shumë faktor që ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e procesit mësimor. Do t’i numëroj disa prej tyre: Gjendja socialo-ekonomike e nxënësve shqiptare, kushtet jo të mira ku mësojnë nxënësit, numri i madh i nxënësve nëpër paralelet me mësim në gjuhën shqipe në krahasim me ato në gjuhën maqedonase, mungesa e kuadrit të mirëfilltë në disa lëndë si dhe mangësitë e shumtë nëpër tekstet shkollore, gjatë përkthimeve. Kjo pyetje lidhet direkt me sistemin dhe cilësinë e arsimit të përgjithshëm në RM. Kjo lidhet direkt edhe me universitet shtetërore por edhe ato private, ku në to ka nevojë për reforma urgjente në arsim dhe në inspektoratin e arsimit, duke filluar nga ri-kontrollimi i diplomave dhe korrektësia në pranimin e mësimdhënësve të rinj nëpër konkurset e reja të punës. Gjithashtu rol të rëndësishëm në rangimin e shkollave luan edhe institucioni ku tani unë jam emëruar drejtor. Sa i përket Qendrës shtetërore për provime, unë besoj që do të krijojmë kushte të barabarta për vlerësim të realët pavarësisht përkatësisë nacionale.

KOHA: Së fundmi, të paktë janë ata nxënës që zgjedhin lëndën e matematikës në testimin ekstern në Maturën Shtetërore, ndërsa pak nxënës regjistrohen në fakultetet e matematikës në universitetet e vendit. Duket qartë se nevojitet një reformë e plan-programit të matematikës! Çfarë do të kishit sugjeruar për të rritur numrin e studentëve që do të ishin drejtuar drejt Matematikës?

SADIKU: Po, është e vërtetë se janë të paktë nxënësit që zgjedhin lëndën e matematikës për provim të maturës shtetërore, por kjo dukuri është gjithandej në të gjitha vendet në Europë dhe më gjerë. Kjo varet nga shumë faktorë. I kisha veçuar disa më të rëndësishëm, siç janë: mungesa e kuadrit të mirëfilltë arsimor, plan-programet adekuate mësimore, mungesa e stimulimit të nxënësve të talentuar për të studiuar lëndët shkencore. Gjatë punës sime si profesor i matematikës, gjithnjë jam munduar dhe besoj që ia kam arritur që nxënësit të kenë një qasje pozitive ndaj lëndës së matematikës. Një numër i konsiderueshëm prej tyre kanë paraqitur si lëndë të maturës shtetërore lëndën e matematikës, të gjithë nxënësit e paraqitur, provimin e kanë kaluar me sukses dhe me nota të larta. Shumë prej tyre kanë vazhduar të studiojnë drejtime të ndryshme matematiko-natyrore.

KOHA: Profesor, nëse politikën e kishim vendosur në një fushë shahu, cilat do të ishin ato tre pozicione fillestare që do të luani për të ndryshuar gjendjen e shqiptarëve në vend?

SADIKU: Loja e shahut njihet si njëra ndër lojërat e vjetra inteligjente, e cila rezistoi me sukses në të gjitha lojërat kompjuterike, falë gjenialitetit të shpikësve të kësaj loje. Ajo në vete është një luftë në miniaturë, e cila pasqyron luftën e vërtetë. Ka të bëjë shumë edhe me politikën, pasi që të gjitha figurat e shahut mund të identifikohen me figurat politike. Partia politike për të qenë e suksesshme në radhët e saja duhet të kenë mbretin (Liderin), i cili duhet të mbrohet me fanatizëm nga të gjithë, sepse me rënien e tij humbet loja, pastaj mbretëreshën (Sekretarin), një figurë e cila manovron në të gjitha drejtimet, topin (Deputeti) i cili godet fortë kështjellat e kundërshtarëve, por para së gjithash duhet të kenë shumë ushtar (Anëtarë), të cilët do të ndihmojnë për ta fituar luftën dhe të jenë të gatshëm një ditë që t’i zëvendësojnë figurat kryesore. Çdo lëvizje duhet të luhet me kujdes dhe me paramendim, një lëvizje e gabuar mund të jetë fatale. Gjendja e jonë mund të ndryshojë vetëm me zgjedhjen e kuadrove të mirëfilltë, të përgatitur në aspektin profesional dhe kombëtar.

KOHA: Gjashtëmbëdhjetë vite pas luftës në Sllupçan, por edhe në gjithë fshatrat tjerë të Komunës së Likovës, akoma flitet për mungesë të ujit të pijshëm, kanalizime dhe mungesë të infrastrukturës… Çfarë po ndodhë me këtë rajon?

SADIKU: Komuna e Likovës edhe para luftës së 2001 ishte njëra ndër komunat më të varfra në aspektin ekonomik dhe infrastrukturor, por shumë e ngritur në planin kombëtar, prandaj këtu u zhvilluan të gjitha betejat e rëndësishme, të cilët kontribuuan në epilogun përfundimtar të konfliktit dhe fitoren e lavdishme të UÇK -së. Për fat të keq, gjendja e Komunës sonë vazhdon të jetë e vështirë edhe më tej në të gjitha sferat e jetës. Problemet esenciale infrastrukturore ende janë të pazgjidhura, edhe pse në gjirin e saj gjenden dy penda në lumin e Likovës, banorët e saj nuk kanë ujë për pije. Rrugët kryesore të vendbanimeve janë në gjendje katastrofale. Ndotja e ambientit jetësor është shumë e lartë, problemi i grumbullimit të mbeturinave është i pazgjidhur. Investime kapitale në drejtim të hapjeve të vendeve të punës. Ka edhe shumë probleme të tjera, i theksova vetëm disa prej tyre që ndikojnë drejtpërdrejtë në kualitetin e jetës së qytetarëve. Prandaj qeveria e re duhet të merr masa urgjente që të punohet në përmirësimin e kushteve për jetë normale në komunën tonë.

KOHA: “Shahu, loja bardh e zi për mendjet me ngjyra”, ka shkruar Stefan Cvajg në librin “Novela e shahut”! Keni gjithë këto vite që luani shah… keni dhe Ju një definicion tjetër për lojën që “lufton” për pozicione të figurave!

SADIKU: Shahu si njëra ndër lojërat më inteligjente, e krijuar ndonjëherë nga mendja brilante qysh në kohërat e lashta, më vonë e modifikuar, i ka rezistuar me sukses kohës moderne të kompjuterizimit të shoqërisë. Sot ende është shumë aktual në të gjithë Botën, bile në shumë vende të botës është bërë pjesë e plon-programeve shkollore, së fundi shahu nëpër shkolla është futur edhe në Shqipëri dhe Turqi, ka indikacione që edhe te ne të jetë pjesë e programeve shkollore, sepse ndikon në të menduarit logjik, dhe ushtron durimin tek nxënësit. Lojën e shahut e kam mësuar nga babai im i ndjere, qysh në moshën shtatë vjeçare. Shumë shpejt fillova të luaj me të rriturit, të cilët ishin të apasionuar pas kësaj loje, për kohë të shkurtë fillova të jem konkurrent i denjë, kurse më vonë edhe t’i mundi me lehtësi. Më vonë fillova të merrem më seriozisht, duke marrë pjesë nëpër turnirë të ndryshme të organizuara në vend dhe jashtë saj. Vite të tëra garoj në Ligën e parë për ekipin e Kumanovës. Në planin individual kam pasur rezultate shumë të mira, kam qenë fitues i shumë turnirëve në qytetin tonë dhe më gjerë. Jam i vetmi shqiptar kampion i qytetit të Kumanovës.

KOHA: Bashkë me bashkëshorten punoni në arsim. Dy fëmijët, Shpendi dhe Ylli, do ndjekin rrugën e prindërve apo vetëm se janë përcaktuar për profesione tjera?

SADIKU: Po, së bashku me bashkëshorten punojmë në arsim një kohë të gjatë, kështu që edhe në shtëpi shumë herë temë bisede i kemi problemet dhe të arriturat në punën tonë profesionale. Shumë herë konsultohemi mes veti rreth punës sonë në procesin mësimor, ndihmohemi njeri me tjetrin, japim sugjerime dhe pikëpamje se si duhet të punojmë, me qëllim që të arrijmë rezultate më të mira. Besoj që edhe ia kemi arritur së bashku. Ylli, djali më i madh, po e ndjek rrugën time, sa i takon profesionit, që do të thotë studion matematikën në USHT. Shpresoj që të më zëvendëson denjësisht, kurse Shpendi, djali i vogël është i pasionuar pas grafikës, prandaj ka vendosur të studion drejtimin grafik dhe dizajn në universitetin Ballkanik në Shkup.

KOHA: Keni lindur në Sllupçan të Komunës së Likovës. Vini nga familje e njohur atdhetare dhe arsimore. Në luftën e vitit 2001, familja Sadiku kishte dy dëshmorë, ndërsa vëllain pjesë të udhëheqjes ushtarake në Zonën e Karadakut!

SADIKU: Kam lindur në Sllupçan, shkollën fillore e kam kryer në vendlindje, shkollën e mesme në qytetin e Kumanovës, shkollën e lartë pedagogjike drejtimi matematikë-Ffzike, kurse më vonë kam vazhduar studimet në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Matematikës. Vlen të theksohet se gjatë gjithë periudhës së shkollimit tim kam qenë nxënës dhe student i dalluar. Një kohë të gjatë kam punuar në arsimin fillore, ku kam pasur rezultate të shkëlqyera në procesin edukativo arsimor, sidomos në garat nga lënda e matematikës, nxënësit e shkollës sime çdo herë kanë qenë në mesin e nxënësve më të mirë. Më pas vazhdova të punoj me të njëjtin ritëm në shkollën e mesme të Kumanovës. Gjithashtu edhe në gjimnaz u pranova mirë nga nxënësit dhe kolektivi punonjës, së bashku me nxënësit kemi pasur rezultate të shkëlqyera në garat nga lënda e matematikës. Njihemi si familje zejtarësh, pasi që babagjyshi ka qenë nallban me profesion, pastaj babai im, më vonë edhe vëllau e trashëguan këtë zanat. Kohëve të fundit ky profesion ngadalë po zhduket, shkaku i modernizimit dhe makinerisë bujqësore. Babai im ka qenë një njeri autodidakt, por shumë inteligjent. Ka qenë shumë i respektuar në mesin e njerëzve, me të cilët ka bashkëjetuar dhe punuar. Është ndarë nga jeta shume i ri, në moshën 47 vjeçare, unë i kam pasur vetëm 16 vjet, për familjen time ishin momente shumë të vështira, por ne ia arritëm që t‘i përballojmë me sukses të gjitha sfidat dhe vështirësitë. Shumë prej shokëve të tij edhe sot kur më takojnë më tregojnë “muhabete“ të kohës së babait, të cilët me endje i dëgjoj. Një moment, të cilin dua ta potencoj kur isha gjatë vizitës në Prishtinë tek bashkëfshatari im, i nderuari profesor Avni Dehari, me rastin e ngushëllimit për vdekjen e djalit. Ai gjeti forcë në ato momente të vështira dhe më befasoi këndshëm për një bisedë të zhvilluar mes tij dhe babait tim dhe respektin që ai kishte ndaj babait. Ndoshta gjenin e matematikës e kam të trashëguar prej prindërve. Nëna ime ka një memorie të jashtëzakonshme, ende i mban në mend vjershat që i ka mësuar në shkollë, di të lexojë dhe të shkruan edhe përkundër moshës së shtyrë, kurse babai im llogaritjet i bënte shumë shpejt dhe saktë. Si fëmijë prej tij e kam mësuar tabelën e shumëzimit deri më 100, domethënë i shumëzonte numrat dyshifrore përmendësh, pastaj unë këtë metodë e avancova edhe më shumë dhe arrita që t‘i shumëzojë numrat treshifrorë përmendësh. Këtë metodë të shumëzimit të shpejtë ua kam përcjellë fëmijëve dhe nxënësve. Dua t‘i them pak fjalë për axhën tim të ndjerë, mësuesin Ismet, i cili ishte një punëtor i palodhshëm në sferën e arsimit, i përgatitur profesionalisht, patriot i vërtetë, ka lënë gjurmë te pashlyera në mesin e nxënësve të tij dhe më gjerë. Ka pasur ndikim të madh në familje dhe më gjerë në frymëzimin patriotik. Kjo u dëshmua gjatë konfliktit të vitit 2001, ku djali i tij, Beqir Sadiku, ra heroikisht dëshmor në betejën e Haraçinës më 22 qershor. Më parë Beqiri ishte kyçur në UÇK në Kosovë dhe në UÇPMB, në Preshevë. Harun Kasumi është pjesëtari i dytë dëshmor, në familjen tonë, i cili ra heroikisht në hyrje të fshatit tonë, në përpjekje për të mbrojtur nderin dhe pragun e shtëpisë. Në radhët e UÇK-së nga familja jonë kishte një numër të madh të anëtarëve që i‘u bashkëngjiten kushtrimit të atdheut. Vëllau Burhani ishte epror i lartë në hierarkinë ushtarake, komandant i Gardës. Veprimtaria patriotike e Burhanit është shumë e pasur, sepse ai qysh në vitin 1988 së bashku me shumë shokë të tjerë ishte pjesë aktive e rezistencës ndaj regjimit të atëhershëm, ku rezistuan fuqishëm kundër mbylljes së paraleleve në gjuhën shqipe dhe rrëzimit të mureve me pretekste të ndryshme, me qëllim të presionit ndaj popullatës shqiptare dhe realizimit të planeve paraprakisht të përgatitura për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore. Një pjesë të këtij plani ka arritur ta realizojnë, sepse gjysma e familjes sonë është shpërngulur në Turqi, në vitet e shtatëdhjeta. Ka edhe shumë personalitete tjerë në mesin e familjes, që duhet përmendur, në pamundësi për t‘i përmendur të gjithë, sepse në mesin tonë kemi bujk të zellshëm, zejtarë të mirë, intelektualë të profileve të ndryshëm si: profesorë të matematikës, gazetar, mësues. Njeri nga ata jam i detyruar ta përmendi, për shkak të respektit dhe kontributit të tij gjatë konfliktit të 2001, doktorin e ndjere Zejnulla Sadiku. Vdekja e tij e hershme ka lenë një zbrazëtirë të madhe dhe të pazëvendësueshme në mesin e familjes sonë. Shpresoj dhe besoj që ardhmëria e familjes është me perspektivë, sepse shumë djem dhe vajza po ndjekin rrugën e të parëve të tyre, në të gjitha fushat e jetës.

KOHA: Ne kemi këngë të bukura, edhe atë të zhanreve të ndryshme. Cila është ajo këngë që me qejf e këndoni çdoherë kur merrni rrugë apo kur jeni i disponuar?

SADIKU: Kënga e bukur dhe e mirëfilltë shqipe, e zhanrit popullor me motive patriotike, po ashtu edhe ajo zbavitëse, më kanë tërhequr gjithmonë, sidomos këngët e Ilir Shaqirit na kanë frymëzuar dhe na kanë dhënë shpresë në periudhat më të vështira nëpër të cilët kemi kaluar dhe ende janë aktuale. Po e veçoj një këngë të tij që e dëgjoj me endje “Engjëjt arbëror”.

KOHA: Më mirë një film apo një shfaqe teatrale?

SADIKU: Jeta kulturore në përgjithësi tek ne është e varfër, si pasojë e neglizhencës dhe mospërfaqësimit tonë të drejtë nëpër institucione kulturore. Kur ka ndonjë shfaqe teatrale në qytetin tonë, shkoj së bashku me bashkëshorten dhe e përcjellim më endje. Filma përcjelli rregullisht kur me jepet mundësia, ka shumë prej tyre qe i kam rishikuar disa herë, njëri prej filmave që e kisha shikuar edhe sot është filmi Amerikan me motive nga Lufta e Dytë Botërore “Shpëtimi i ushtarit Rajan”, në regji të Stiven Spilberg dhe në rolin kryesor të artistit më të madh të të gjitha kohërave, Tom Henks.

© Gazeta KOHA.