Qeveria gjatë gjithë kohë krizës shëndetësore është munduar të miratojë masa me qëllim të zbutjes së pasojave negative në planin ekonomik e social, mirëpo gjatë kësaj periudhe ka munguar një strategji e qartë dedikuar problematikave të të rinjve
Që nga fillimi i pandemisë është vërejtur një ngritje e madhe e papunësisë tek të rinjtë. Thellimi i krizës dhe izolimi ka ndikuar që të rinjtë të ngecin në aftësi dhe shkathtësitë e tyre profesionale, që ishin të domosdoshme për të hyrë në treg të punës. Të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, tregojnë se që nga fillimi i pandemisë me Covid-19, çdo i gjashti i ri ka ngelur pa punë. Ky është një lajm shqetësues për tërë globin, ndërkohë që statistikat tregojnë se tek ne madje 77 % e të rinjve nga mosha 17- 29 po të kishin mundësi do të largoheshin nga vendi, si pasojë e mungesës së perspektivës.

Në vendin tonë në kushte normale është dëshmuar se të rinjve nuk i ofrohet shansë, dhe si kriter parësor për punësim nuk është kualifikimi i tyre, por lidhjet partiak apo fisnore , këtë problematik të rinjtë e kanë paraqitur edhe më herët. Këtë tezë më tepër e sforcon edhe i pari i vendit, presidenti Stevo Pendarovski, i cili gjatë një deklarate të mëhershme ka thënë se po të ishte i ri do të largohej nga vendi nga mungesa e perspektivës. I riu nga Kumanova, Veton Sefedini, i pyetur nga Gazeta KOHA se cilat kanë qenë pasojat e pandemisë për moshatarët e tij thotë se “të rinjtë në Maqedoninë e Veriut janë kategoria më e ndjeshme, dhe se situata e tyre është e vështirë edhe në normalitet. Kriza me virusin i ka dyfishuar problemet e tyre, sidomos në aspektin financiar, për shkak se shumica e të rinjve në mungesë të punëve shtetërore, përgjithësisht janë të punësuar nëpër punë private, kur dihet se biznesi ka qenë i goditur më së shumti gjatë gjithë kësaj krize e kjo në mënyrë direket i ka goditur edhe të rinjtë”.

Lindrit Memetin, një aktivist politik, për ta shpjeguar më mirë situatën e të rinjve thotë duhet ti referohemi statistikave të cilat i kemi për vendin tonë. “Në një vend ku dy të tretat e rinisë dëshirojnë të largohen nga vendi, nuk është një pasqyrë e mirë për at vend, dhe kjo flet për politikat e gabuara që kryesisht partitë politike i kanë aplikuar në dy dekadat e fundit”, thotë Memeti. Sipas tij, në këtë kohë të pandemisë shteti është dashur të ketë strategji të veçantë për të rinjtë. Qeveria gjatë gjithë kohë krizës shëndetësore është munduar të miratojë masa me qëllim të zbutjes së pasojave negative në planin ekonomik e social, mirëpo gjatë kësaj periudhe ka munguar një strategji e qartë dedikuar problematikave të të rinjve. (koha.mk)