Familja Pajaziti nga Strimnica e Tetovës, ka më shumë se 80 vjet që jeton në Gjurgjevac të Kroacisë.

Nafi Pajaziti kishte emigruar në këtë vend në vitin e largët 1935 për të punuar në një pasticeri.

Dy vite më vonë ai kishte hapur pasticerinë e tij dhe shumë shpejt ishte bërë i njohur për cilësinë e akullores.

Banorët e Pollogut janë veçuar në ish – hapësirat e Jugosllavisë së dikurshme në zanatin e pasticierit.

Nafi Pajaziti kishte lindur më 1909 në fshatin Strimnicë të Tetovës. Ai ndërroi jetë në vitin 1992. Traditën e tij e vazhdoi i biri Aliu dhe vëllezërit Mahmuti dhe Qamili. Kjo traditë sot vazhdohet nga i nipi Ibrani.
Në një shkrim të autorit Vladimir Miholek  familja Pajaziti prezantohet në rubrikën e  familjeve të dalluara të Gjurgjevcit, që kanë lënë gjurmë me punën e tyre.

Ai shkruan se është turp se si askush nuk kujtohet për këtë familje të nderuar që ishte njëfarë brendi në këtë qytet.