Abelard Tahiri nga PDK ka dalë në konferencën e parë për media duke u ankuar  në lidhje me  procesin zgjedhor të ditës së sotme.

Sipas tij dalja deri tash ka qenë  e kënaqshme, mirëpo ai është ankuar se deri tash ka pasë përpjekje nga partitë rivale që të dëmtohet procesi zgjedhor.

Kjo si duket është paralajmërim i parë i një funksionari të lartë të PDK-së, që në një farë formë indirekt paralajmëron rezultatin e dobët që kjo parti mund të ketë në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Ai ndër të tjera tha se:

“Në Prizren kemi denoncuar blerje të votave nga Vetëvendosje. Kjo ka ndodhur në shkollën “Abdyl Frashëri” ku një aktivist i VV-së është zënë në flagrancë. Raste të tilla ka pasë edhe në shkollën “Migjeni” në Mitrovicë, ku një aktivist i VV-së ka ndikuar te qytetarët duke i joshur për blerje votash”, ka thënë Tahiri, njofton Klan Kosova.

“Siç është parë nëpër media, kryetari i Vetëvendosjes në Pozharan të Vitisë është filmuar ku dyshohet se ka qenë duke blerë vota. Përveç Vetëvendosjes në Zhabar të Mitrovicës zyrtarë të LDK-së kanë bërë presion te qytetarët duke u përpjekur që t’ua deformojnë vullnetin e tyre”.

Tahiri u ka bërë të gjithë vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë që t’i identifikojnë çdo parregullësi dhe njëherit u bëri thirrje në emër të PDK-së, gjithë qytetarëvë, që ende nuk kanë votuar që t’ju drejtohen kutive të votimit që Qeveria e ardhshme të ketë legjitimitetin qytetar”.