Përfaqësuesit e BDI-së në Ministrinë e Brendshme dhe agjencitë sekrete policore jo vetëm që nuk e pengojnë, por edhe legjitimojnë përdorimin e këtyre agjencive kundër shqiptarëve për qëllime politike. Kështu akuzoi sot deputeti i PDSH-së Ernad Fejzullahu, në seancën e komisionit për mbikëqyrjen e punës së agjencive sekrete. Fejzullahu shtoi se BDI-ja ndan përgjegjësinë politike për përgjimin ilegal, pas plasjes së dy skandaleve të përgjimit në dy mandate qeverisëse të kësaj partie.

“Përfaqësuesit e shqiptarëve të cilët thirren në legjitimitetin që e kanë, kanë një zv/ministër të punëve të brendshme, si në garniturën e parë me LSDM-në, po ashtu edhe me VMRO-në, por kur vjen te përgjegjësia ata sillen sikur nuk janë prej këtu. BDI ka edhe zv/drejtor në Agjencinë për Zbulim, ka edhe zv/drejtor në Drejtori. Pyetja e parë logjike është cfarë bën ai atje? Cili është roli dhe detyra e tij? Roli dhe detyra e përfaqësuesit të BDI-së është që të legjitimojë aksionet kundër shqiptarëve”, deklaroi Fejzullahu.

Në sallën e Komisionit nuk kishte deputetë të BDI-së, për tu përgjigjur akuzave të Fejzullahut. Nga ana tjetër, deputeti opozitar Goran Misovski theksoi se Raporti i Pribe-së konstaton qartë keqpërdorimin e agjencive sekrete për qëllime politike të partive në pushtet.

“Grupi i ekspertëve të Pribe-së, konstaton se përgjimet, për nga kualiteti, volumi dhe sasia, konfirmojnë se janë bërë në hapësirat e agjencisë kombëtare të zbulimit. Kjo është fakt. Ma merr mendja se Prokuroria Speciale do të vjen deri te detajet, dhe përmes një epilogu gjyqësor do të konfirmohet nëse kjo është me të vërtetë kështu”, tha Misovski.

Deputeti i VMRO DPMNE-së, Pavle Sazdov thotë se skandali i përgjimeve nuk duhet të jetë fokusi i Komisionit për mbikëqyrjen e këtyre institucioneve.

“Ndjekja e komunikimeve është vetëm një pjesë e punës së këtyre shërbimeve. Agjencia për Zbulim, Drejtoria për Zbulim dhe Kundërzbulim, Ministria e Mbrojtjes dhe organet e tjera kanë ingerenca shumë më të gjëra, ka aty shumë më shumë cka të shihet, se sa përgjimi. Nuk duhet që fokusi në të ardhmen të jetë vetëm tek përgjimi”, deklaroi Sazdov.

Në seancën e sotme u prezantuan rekomandimet e komisionit të ekspertëve të financuar nga Ministria e Brendshme Norvegjeze për agjencitë sekrete të Maqedonisë. Ky komision ekspertësh vlerëson se ligjet që rregullojnë këto agjenci nuk zbatohen dhe shumica e tyre duhet ndryshuar, ndërsa rekomandon edhe rritjen e kontrollit të brendshëm dhe monitorimit të jashtëm të punës së këtyre institucioneve.