PDSH nuk do të jetë pjesë e Qeverisë kalimtare

PDSH sërish nuk do të jetë pjesë e qeverisë së dytë kalimtare, e cila sipas aneksit të marrëveshje së katër liderëve duhet të zgjidhet deri më 3 shtator, në rast se partite dakordohen se ka kushte që zgjedhjet të mbahen në fund të vitit, informon INA.

Nga PDSH kanë paralajmëruar edhe më pare se nuk duan të jenë pjesë e qeverisë bashkë me VMRO-DPMNE, BDI dhe LSDM, që duhet të organizojë dhe sigurojë zgjedhje të lira.

Sipas kësaj partia, garanci e vetme për zgjedhje të lira dhe demokratike janë bashkësia ndërkombëtare.

Kohë më parë një qëndrim për mospërfshirje në Qeveri e kishte paralajmëruar edhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi.

“Varianti i parë është kthimi i qeverisë së Marrëveshjes së Përzhinës mes VMRO DPMNE-së, BDI-së dhe LSDM-së dhe varianti i dytë është që të formohet qeveri me katër partitë me të mëdha ku do të përfshihet edhe PDSH-ja. Ne kemi përsëritur qëndrimin tonë se nuk futemi në qeveri nëse nuk marrim ministra sa BDI-ja”, kishte deklaruar Thaçi.

Ai kishte shtuar se ndërkombëtarët deri tani nuk kanë shprehur qëndrim lidhur me kërkesën e PDSH -së që të ketë ministra sa BDI-ja, por tha se nga një kërkesë e tillë është ” shashtrisur” BDI-ja.