Etja për dituri – udhërrëfyes drejt ndriçimit

Dhe thuaj: Zoti im, më shto dituri!” (Kuran, 20:114)

Mrekullia e mendjes së njeriut është aftësia për të kuptuar dhe shpjeguar. Kërkimi i diturisë është bërë obligim për secilin besimtar dhe për këtë bazohemi kur hedhim një vështrim në Kuranin dhe traditat e Muhamedit (a.s), ku shihen përmendjet për kërkimin e diturisë, edukimin dhe përdorimin e arsyes.

Ju kërkues të diturisë, kuptoni dhe mësoni diçka të re secilën ditë të re. Punoni shumë për të mësuar diçka, me anë të kësaj rruge të vështirë ta luftoni injorancën, rrugën edhe më të vështirë. Thotë një urtësi “Njeriu pengohet nga gurët e jo nga malet”, që nënkupton se pengesat e vogla janë ato që na rrëzojnë disa herë në jetë, por është ballafaqimi i forcës tonë me të tyren që duhet të na nxis për t’u ngritur. Para imtësirave nuk duhet gjunjëzuar.

Thotë i Dërguari i Zotit, Muhamedi (a.s.) për diturinë:

Mënyra më e mirë e adhurimit është kërkimi i diturisë!”

“Kërkoni për njohuri dhe urtësi, në çfarëdo anije nga e cila ajo rrjedh, ju kurrë nuk do të jeni humbës.”

Pra, pa mësim edhe mbijetesa është e kërcënuar. Kënaqësia për të mësuar është nga kënaqësitë e pavetëdijshme dhe thelbësore të shoqërisë njerëzore. Të bëhemi udhërrëfyes në kërkime të reja. Kohët e fundit shohim shumë shembuj nga kontributet e të rinjve në zbulime të reja, ngase ata guxojnë dhe janëtë paepur në këtë rrugë.

Të mësuarit nuk është kufizuar vetëm në tekstet shkollore, kujtojmë të mësuarit nga revistat, gazetat, trajnimet, televizioni, arti, udhëtimet. Madje, i Dërguari i Zotit, Muhamedi (a.s.) ka urdhëruar myslimanët të jenë aktivë në kërkimin e tyre për të mësuar, duke kaluar oqeanet dhe kontinentet nëse është e nevojshme, “Kërkojeni diturinë deri në Kinë”, ka thënë ai.

Të udhëtosh në raftet e bibliotekës të kujton se aty nuk gjenden vetëm copa letre, por aty banojnë mendjet e gjalla, trupat e të cilëve nuk dihet që nga kur nuk ekzistojnë më. Kjo është fuqia e thellimit të njohurive në fushë të caktuar.

Të nxënët e diturisë të mban mendjehapur për të marrë shumë përvoja të ndryshme, kështu arrijmë në kultivimin e respektit për disiplinën, tolerancën, respektimin për të mësuarit. Mos harroni, atë që do të mësoni nuk mund ta merrni hua nga tjetri.

Përkushtohuni! Sepse koha është kundërshtari ynë më i madh. Kjo është një pjesë e pashmangshme nga çdo betejë e jona. Koha nuk ka pushim! Ne mund të ankohemi se mbetëm pa kohë, por koha si një “armik” nga një kënd tjetër mund të jetë ndryshe.

Urime për nxënësit fillimi i vitit të ri shkollor. Punë të mbarë për të gjithë mësimdhënësit.

Suksese!

Fisnik SHABANI,

Kryetar i Forumit Rinor Islam