Grupi i Këshilltarëve të PDSH-së në Qytetin e Shkupit ka reaguar në lidhje me vendosjen e shqiponjës në Çair. Sipas tyre kjo është edhe një lojë nga siç i quajtën ata binjakët sijamez BDI dhe VMRO, mandati i të cilëve thonë ata është përcjell me vrasje, burgime dhe maltretime mbi popullatën shqiptare.

“Tani përnjëherë binjakët që festojnë ‘IMENDENIN’ e njëjtë me qëllim të de-fokusimit të opinionit mbjellin shqiponja dykrerëshe që kanë për qëllim të vetëm të eskalojnë situatën, të mbjellin frikën e pasigurisë dhe mos tolerancës ndër etnike, të gjithë këto nën marshin e epiteteve të rrejshme patriotike. Fytyra e këtyre inskenuesve servil janë më të zinj se shqiponja të cilën e vendosën”, thuhet në reagimin e Këshilltarëve të PDSH-së në Qytetin e Shkupi.

Më tej ata thonë se janë të habitur se si vëllazëria e përbetuar e partnerëve të koalicionit për një natë u shndërrua në një armiqësi të pa parë deri tani.

“Ne jemi të sigurt se pas rastit të inskenuar të Kumanovës, çdo shqiptarë dhe çdo qytetarë i Maqedonisë nuk do të bie preh e inskenimeve të tilla, të cilat kanë për qëllim që tërë vëmendjen dhe fokusimin ta bartin në rrafshin tjetër, atë të eskalimeve ndëretnike, sa më larg nga prokuroria speciale”, thonë më tej nga PDSH, duke porositur BDI-në që të “mos i përbuzin dhe shfrytëzojnë për lavirizëm politik, elementet më të shenjta kombëtare”.