Ish kandidati për kryetar të shtetit nga ana e LSDM-së, Stevo Pendarovski  në emisionin “Rruga e re” ka thënë se komisari Hahn në vazhdimësi me deklaratat e tij po mbron njërën palë në konflikt, ndërsa deklarata e tij e fundit sa i përket zgjedhjeve, që nuk është me rëndësi se sa parti do të marrin pjesë në zgjedhje por që ato të jenë të lira, transparente dhe demokratike, është kulmi i këtyre deklaratave.

“Hahn është dashur të jetë lehtësues, për fat të keq me deklaratën e tij të fundit e cila është sekuencë e një sërë deklaratash të tij të njëjta ai po bëhet vështirësues i këtij procesi”, ka thënë Pendarovski.

Ndërkaq analisti politik Arsim Zekolli, tha se Hahn ka qenë kandidat për kryetar i Partisë Evropiane Popullore anëtare e së cilës është edhe VMRO-DPMNE.

“Nga ajo që kam arritur të kuptoj sipas disa kuluareve ai nuk është konsideruar si i denjë për atë pozitë. Posaçërisht në një situatë pozicioni I tij dhe autoriteti është sjellë në pikëpyetje të madhe nga ana e Gjermanisë dhe disa shteteve të BE-së, ai tani më mund të ketë ndonjë moment emocionale në lidhje me gjendjen në Maqedoni dhe nuk ka se përse ta fsheh simpatinë e hapur që e ka apo aderimin dhe animin ndaj VMRO-DPMNE-së”, tha Zekolli duke shtuar se kjo mund të jetë ndoshta një shpengim por jo dhe “shërim për gjendjen tonë”./shenja