Plehrat e djegura në deponinë afër Vollkovisë së Tetovës për të tretën ditë radhazi po digjen dhe ende del tym. Në varësi të erës, tymi dhe aroma e pakëndshme po përhapen në gjithë luginën e Pollogut, Tetovë dhe Gostivar si dhe fshatrat ndërmjet dy qyteteve.

Nga Njësia territoriale kundër zjarreve (NJTZ) Tetovë informojnë se gjatë pasdites së djeshme dhe mbrëmjes po shuhen pjesë të deponisë në situata të caktuara specifike konform nevojave.

“Zjarri është ende aktiv, ka ende zjarr dhe tym në deponi. Kamionët e zjarrfikësve të Tetovës shkojnë shpesh për të intervenuar. Tymi po përhapet gjatë gjithë natës dhe krijon ndotje të madhe e ajrit në veçanti në Tetovë”, informoi Avni Ameti, komandant i NJTZ Tetovë.

Sipas tij, për shuarjen e plotë të zjarrit duhet të përfundojë procedura e groposjes së mbeturinave të djegura.

“Sot kontaktova me pronarin e deponisë, ai po vazhdon me angazhimin që të gjejë ekskavatorë nga kompanitë tjera për të vendosur pjesën më të madhe të mbeturinave”, informoi Avni Ameti, komandant i NJTZ Tetovë.

Vetëm deri dje, e enjte, NJTZ Tetovë ka intervenuar në deponinë me 40 kamionë që kanë kapacitet të bartin dhjetë tonë ujë. Deponia mori flakë të martën një orë pas mesnate