Nga viti 2013 deri në vitin 2016 në Maqedoni, jozyrtarisht, janë regjistruar 15 vrasje të grave të njohura si femicidë, gjegjësisht vrasje të qëllimshme të grave vetëm pse janë gra. Kjo sot u theksuar në konferencën ‘Femicidë-vrasje të grave për shkak të asaj që janë gra’ në organizim të Rrjetit ndërkombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, në bashkëpunim me KB-në, përcjell Fol.

Femicidi është forma më e rëndë e dhunës ndaj grave dhe mund të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës familjare ose dhunës intime mes partnerëve.

”Nga viti 2013 deri 2016 kemi regjistruar 15 vrasje, por kjo nuk është statistikë zyrtare dhe nuk e paraqet numrin real. Nga ESHS ka të dhëna dhe nga viti 2008 deri në vitin 2016 ka 70 gra të vrara, por tani bëhet analizë se nga vrasjet janë femicidë. Viktimat gra janë të moshave të ndryshme”, informoi Dimushevska.

Sipas saj, gratë të cilat janë viktima të femicidit paraprakisht ishin viktima të dhunës, por ishin edhe pak të informuara për paraqitje në institucione adekuate.

Koordinuesja e përhershme e KB-së dhe përfaqësuese e UNDP-së, Luiza Vinton tha se pas çdo vrasje ka një histori të gjatë të njerëzve të cilat kanë ditur diçka, por nuk kanë vepruar. Ajo porositi se më me rëndësi për Maqedoninë është që të ratifikohet Konventa e Stambollit.

Virve Vimpari nga Delegacioni i BE-së tha se femicidi është një lloj i diskriminimit dhe se është arsye dhe pasojë e pabarazisë gjinore.

Nga ana tjetër edhe përfaqësuesja e MPPS-së, Svetllana Cvetkovska tha se te ne ende ndodh që të moralizohen këto ngjarje, të akuzohen gratë se vetë janë fajtore për atë që ka ndodhur, se ata e kanë provokuar përdhunuesin dhe se vetë janë fajtore për pasojat.

Ajo informoi se për këtë qëllim, është formuar grup punues nga shumë përfaqësues nga institucionet ndërdikasterial, por edhe se janë të përfshira edhe organizatat joqeveritare. Cvetkovska tha se në MPPS intensivisht punohet edhe në hapjen e Qendrës për viktima të dhunës seksuale. /Fol/