Nga mbledhja koordinuese e mbajtur sot ndërmjet kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi dhe grupeve koordinuese u vendos që mbajtja e zgjedhjeve lokale do të jetë në gjysmën e parë të muajit tetor kurse mandati i kryetarëve dhe këshillave komunal do të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave komunal.

“Partitë u morën vesh se prioritet i jashtëzakonshëm për Republikën e Maqedonisë është arritja e marrëveshjes për miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor me të cilin mbajtja e zgjedhjeve lokale do të parashihet në gjysmën e parë të muajit tetor, kurse mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave. Presim në afat të shkurtër partitë të arrijnë marrëveshje për formimin e trupave punuese, me qëllim që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratohen në bazë të procedurave të Rregullores”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Xhaferit.

Në mbledhje po ashtu është theksuar edhe nevoja e formimit të grupeve parlamentare.

“Me qëllim të mundësohen kushte për punë të rregullt të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë është e domosdoshme që të respektohet Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe i ftoi partitë politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvend, konform nenit 33 të Rregullores së Kuvendit të RM-së ta njoftojnë për formimin e grupeve parlamentare”, thonë nga kabineti./portalb