10 muaj pas përmbytjeve në Tetovë, infrastruktura e shkatërruar në Reçicë të Vogël nuk është riparuar ende. Autoritet lokale dhe qendrore nuk kanë ndërmarr asnjë hap për rregullimin e shtratit të lumit ndërsa pavarësisht donacioneve edhe rruga përreth mbetet e mbuluar në gurrë dhe pluhur. Banorët shprehen të revoltuar për neglizhencën e komunës.

“Pluhuri na bën shumë problem, kalojmë këtu. Sqarim asgjë nuk ka, i kanë lanë pllakat këtu dhe nuk janë tu i marrë ti vendosin. Nuk janë tu e rregulluar as lumin as rrugën, asnjë lloj investimi nuk kanë bë këtu”.

“Nuk organizohet komuna, kanë mbet kështu. Dikush i ka dhanë falas këto komuna nuk merr masa ti vendoje. Pluhuri na hyn krejt nëpër shtëpi. Thonë që do e bëjnë ama s`ka gjë”.
“Nuk e dimë i kanë lënë kështu, a do bëjnë diçka apo jo nuk e di, prej vërshimeve kanë mbetur kështu ka mbetur nga pastrimi kur është bë asnjë investim tjetër më `ska”.

Ndërkaq Komuna e Tetovës vonesën e punimeve e arsyeton me mos zgjidhjen e dilemës nëse fillimisht duhet të rregullohet shtrati i lumit apo rruga. Pa dhënë një datë konkrete, nga komuna premtuan se megjithatë punimet do ti nisin shumë shpejtë.

Por banorët shprehen të revoltuar edhe për zvarritjen e kompensimit të dëmeve nga vërshimet. Por autoritet lokale fajin për këtë çështje ia drejtojnë Qeverisë.

“Informatat më të fundit flasin se tanimë qeveria ka miratuar shumën e caktuar që përbën një diferencë jo shumë të vogël të mjeteve dhe shpejt mendojmë se duhet të na informojë Qeveria e Maqedonisë me shkresë zyrtare dhe Ministria e Financave të fillojë deponimin e mjeteve që ne të mund të shpërndajmë ato tek qytetarët”, deklaroi Ahmed Qazimi, Përgjegjës për kompensimin e dëmeve në komunë të Tetovës.

Kompensim për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e gushtit të vitit të kaluar, duhet të marrin 373 familje, ndërsa shuma e përgjithshme arrin rreth 460 mijë euro.