Edhe gjashtë muaj pas vërshimeve në rajonin e Tetovës ende asnjë denar nuk iu është kompensuar banorëve për dëmet që pësuan. Disa prej tyre, të vetmin kompensim që kanë marrë është ai prej 30 mijë denarëve, që në fillim iu ndau qeveria. Ndërkohë banorët kërkojnë intervenim nëpër pikat kritike, të cilat sipas tyre me shkrirjen e borës paraqesin rrezik nga vërshimet. Banorët madje akuzojnë institucionet se kanë filluar punët dhe i kanë lënë përgjysmë.

“Dikush ka marr nga pak, neve jo, këtu që jemi. Sepse s`kemi pas shumë dëme neve. Por të tjerët kanë marr nga 500 euro, tjera më asgjë”.

“Jo nuk kemi marr aspak. Kanë ardh i kanë regjistrua por ende nuk kanë kthyer përgjigje, nuk e di, deri më tani nuk ka asgjë”.

“Duhet më shpesh të vini ju gazetarët sepse kanë nis aty pak të punojnë komuna por nuk është kjo punë e mirë kështu. Unë isha disa herë në komunën e Tetovës më thanë, duhet të lajmërohesh kush ka qenë prej Shkupi. Ishin një komision i Shkupit mi morën të dhënat fotografitë, dhe më nuk është lajmëruar askush”.

“Jo jo as që pres nga shteti, veç kërkoj ndihmë prej Zotit, jo shtetit”.

Nga komuna e Tetovës, sektori për rrugë dhe tokë ndërtimore, shprehen se së shpejti do të fillohet me kompensimin e dëmeve, por pa precizuar se kurë.

“Sa i përket kalkulimit të dëmeve ose realizimit të tyre ajo ka shkuar në këtë mënyrë. Një shumë prej 30 000 denarësh është dhënë menjëherë familjeve të dëmtuara, kurse tani kemi të dhëna që sipas raportit që është përgatit nga ana e komunës së Tetovës për në Qeveri, është miratuar ai plan dhe do të bëhet kompensimi i dëmeve të personave fizik”, tha Isen Demiri, Drejtues i sektorit për rrugë dhe tokë ndërtimore.

Përndryshe, plani i intervenimit për rregullimin e dëmeve dhe marrjen e masave preventive, sipas komunës së Tetovës do të fillojë në pranverë edhe atë me plan studimi dhe investim nga UNDP, ndërsa pritet të kushtojë mbi 20 milion euro.