Zgjedhja e Adnan Bilallit të PDSH-së për kryetar të Këshillit në komunën e Tetovës ka shkaktuar pakënaqësi dhe përçarje të mëdha në BDI-në e Tetovës, njoftojnë burime partiake. Nëndegë të kësaj partie, veçanërisht nga fshatrat e Malësisë kanë paralajmëruar largim nga partia e madje edhe protesta, në shenjë revolte për shkak të zgjedhjes së Bilallit, shkruan Gazeta Lajm.

Pakënaqësinë në mënyrë publike deri tani e ka paraqitur këshilltari i BDI-së në komunën e Tetovës dhe më i zëshmi deri tani, Qefali Havziu, i cili dje nuk ka marrë pjesë në seancën e radhës ku u zgjodh kryesuesi i këshillit nga radhët e PDSH-së.

Siç mësohet, Qefali Havziu ka qenë kundër Adnan Bilallit të PDSH-së për të qenë kryesues këshilli, adnaj edhe ka bojkotuar seancën e këshillit. Ai në një status në Facebook ka dhënë sinjale se mund edhe të largohet nga BDI-ja.

“Çdo gjë ka fillim dhe mbarim, koha vjen kur njeriu ndahet nga familja, e jo më nga partia” ka shkruar këshilltari i BDI-së në komunën e Tetovës, Qefali Havziu.

Nga kjo përplasje brenda BDI-së së Tetovës, më së tepërmi si duket do të pësojë PDSH-ja, sepse pakënaqësitë e kanë detyruar Komunën e Tetovës zyrtarisht të distancohet nga zgjedhja e Adnan Bilallit për kryetar Këshilli, duke e vlerësuar si joligjor dhe duke paralajmëruar me siguri zjedhjen e një kryetari tjetër.