Përvjetori i 17 i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ja si e kujtojnë kosovarët

Çdo qytetar i Prishtinës e ka të freskët në kujtesë sirenën e qytetit, që paralajmëronte fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj objektivave ushtarake e policore serbe. Për t’u hakmarrë, ushtarë e paramilitarë serbe filluan të dëbonin shqiptarët nga shtëpitë e tyre. Zbrazjen e Prishtinës e kujton pas 17 vitesh Skënder Boshnjaku.

“Çdo kthim prapa në kohë është i përzierë me kujtime të mira dhe kujtime të dhimbshme. Ka qenë një ditë shumë, shumë lemerisëse, një ditë e zymtë, një ditë e mbytur. Dukej se nuk kishte më shpresë, dukej sikur e gjithë bota ishte e heshtur, dëgjohej vetëm ndonjë zë shpendësh”, thotë Skënder Boshnjaku, mjek nga Prishtina.

Njerëzit u nxorrën nga shtëpitë dhe, në kolona të gjata, të heshtur e nën urdhrat serbe merrnin rrugën për t’u larguar nga Kosova.

“Shumica e qytetarëve të Prishtinës u drejtuan në stacionin e trenit, prej nga u transportuan me trena në drejtim të kufirit me Maqedoninë, në Bllacë”.

Mes njerëzve që u futën me forcë nëpër vagonët e mbipopulluar ishte dhe Shirine Morina. Aktorja e njohur për rolet e saj të humorit në Kosovë, e kujton udhëtimin drejt pikës kufitare të Bllacës, si më të gjatin në jetë.

“Neve na futën në tren. Shumë njerëz nuk kemi mundur të lëvizim fare. Nuk kemi mundur as të ulemi. Edhe aty ku vihen valixhet ka pasur fëmijë. Një atmosferë shumë e keqe, shumë e zymtë. Fëmijët qanin”, tha Shirine Morina.

Aktorja tregon sesi është përpjekur që të argëtojë fëmijët, bashkudhëtarë të atij tmerri.

“Pyeta fëmijët nëse e dinin se kur e kisha luajtur lepurushin e madh dhe m’u përgjigjën me një po. Edhe meqë e dinin, u thashë më tej se atë ditë nuk do të shkonin fare në shkollë, edhe ata filluan të qeshnin”, tha më tej Shirine Morina, aktore nga Prishtina.

Shumë prej këtyre udhëtarëve do të ktheheshin vetëm pas përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s, që zgjati 78 ditë.