Abdulla Mehmeti

Duke e përshëndetur sinqerisht dëshirën dhe vullnetin për unifikimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, përmes Platformës së nënshkruar dhe publikuar sot nga 4 partitë politike parlamentare të shqiptarëve, për të cilën e kanë marrë bekimin edhe nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe Kryetari i Republikës së Kosovës; duke pasur parasysh frymën përbashkuese, optimizmin dhe entuziazmin që i ka përfshirë në radhë të parë shqiptarët në Maqedoni dhe të gjithë shqiptarët anekënd botës, për një të arritur ,,historike” siç e paraqesin mediumet dhe disa politikanë përmes deklaratave të tyre; duke mos dashur që përherë të shihen vetëm anët negative të proceseve politike, të pranuara si shpresëdhënëse dhe premtuese për shumicën e qytetarëve vendës dhe jo vetëm; gjej rastin ta shprehi mendimin tim në lidhje me këtë çështje, me dëshirën më të mirë që koha të punojë për të mirën e shqiptarëve dhe kjo Platformë të realizohet në formën e saj sa më të plotë.
Kësaj radhe do të ndale vetëm në pikën e parë të kësaj Platforme, me bindje se ka çka të thuhet edhe për pikat tjera të saj, sidomos për afatet e realizimit të tyre, të papërcaktuara saktë në këtë Platformë.
Në Platformën e përbashkët të partive parlamentare shqiptare, të arritur më 29 dhjetor në Tiranë, në mes katër liderëve të subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni, me ndërmjetësim të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, thuhet:
,,Duke respektuar vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë, më 11 dhjetor 2016, biem dakord për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues:
– Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën.”
Përmbajtja e kësaj pike (e para) të Platformës është formuluar në mënyrë aq amatore, që do të linte për të dëshiruan, si tekst, për një student në vitin e parë të studimeve të drejtësisë, ose shkencave politike!
A para, nuk saktësohet se kujt i dedikohet arritja e barazisë së plotë, cilit me cilin/cilët?
E dyta, formulimi në vazhdim: ,,në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën”, në këtë Platformë është përfshirë si formulim pa i marrë parasysh, nuk them pa i njohur, detajet e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, 13 gusht 2001, në Parimet themelore të së cilës, në paragrafin e dytë, thuhet:
,,Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pacenueshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike.”
Në këtë rast, kontestuese është shprehja: ,,karakteri unitar i shtetit është i pacenueshëm”!
Në lidhje me referimin në Kushtetutë, që sipas tekstit të kësaj Marrëveshje nuk saktësohet as edhe për cilën kushtetutë dhe kushtetutën e cilit shtet bëhet fjalë! Për aq më tepër, nuk merret parasysh se pikërisht kjo Kushtetutë, edhe me ndryshimet dhe plotësimet e saj të vitit 2001, të miratuara në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, edhe më tepër e ngushton dhe degradon statusin juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni, në krahasim edhe me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë të vitit 1991, e të mos flasim për statusin e popullit shqiptar në Kushtetutën e ish Republikës Socialiste të Maqedonisë, të vitit 1974, në të cilën shqiptarët kanë qenë element konstituiv i shtetit.
Mjafton me këtë rast ta kemi parasysh preambulën e Kushtetutës aktuale të Republikës së Maqedonisë, të cilës i referohet kjo Platformë, ku mes tjerash thuhet:
,,Republika e Maqedonisë është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas, në të cilin garantohet barazi e plotë qytetare dhe bashkëjetesë e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllehët, romët dhe nacionalitetet tjera që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.”*
Çuditërisht, në kategorinë e nacionaliteteve, në këtë kushtetutë nuk përmenden disa nga bashkësitë tjera etnike, si ajo serbe, bullgare dhe boshnjake, të cilat janë në numër të konsiderueshëm në këtë shtet dhe përfaqësohen në organet e pushtetit ligjdhënës të këtij vendi përmes subjekteve të veta politike!

* Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë me Amendamentet kushtetuese, në bazë të ndryshimeve dhe plotësimeve të vitit 2001. ,,Gazeta zyrtare e RM”, nr. 91/2001.

(7 janar 2017)