Shkrimtari Bujar Plloshtani në lidhje me krizën e zgjatur institucionale në shtet, ka reaguar përmes një komenti të tij politik, duke hedhur disa pikëpamje mbi zgjidhjen e krizës politike, që edhe pas formimit të shumicës së re parlamentare, shteti po zhytet me forcë në udhëkryq. Ai për krizën e rëndë politike në shtet ia drejton gishtin pushtetit.

Komenti në vazhdim i zgjeruar i Bujar Plloshtanit:

Kriza e thellë politike dhe juridike në shtet, në rend të parë është dhe institucionale, pasi institucionet e shtetit në të gjitha format e saj janë të kapura nga sistemi aktual politik, ku e instaluan partitë politike në pushtet. Duket tashmë në realitet se kemi një krizë e llojit të veçantë, që vështirë se do të artikulojë një zgjidhje të qëndrueshme.

Krizën politike dhe juridike në shtet e instaloi VMRO-DPMNE dhe BDI. Moszbatimi i ligjit për të gjithë njëjtë, dhe zbatimi selektiv i ligjit solli ndasitë e mëdha në këtë shtet mes pozitës dhe opozitës, mes dy komuniteteve më të mëdha në vend. Kapja e institucioneve dhe partizimi i tyre ishte një prej metodave bazë që sot shteti është pranë zhbërjes si organizatë.

Edhe pas formimit të shumicës së re në Kuvendin e Maqedonisë të dala në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, kriza politike asesi të zgjidhet, porse po zhytet me forcë në udhëkryq.

Një prej zgjidhjeve të mundshme të kësaj krize politike është edhe mundësia e tërheqjes së ministrave të BDI-së nga qeveria teknike e Dimitrievit, pasi mandati politik i kësaj qeverie teknike ka pushuar në kohën kur është formuar shumica e re parlamantare nga zgjedhjet e 11 dhjetorit. Është krejt e pakuptimtë mbetja e ministrave të BDI-së në ekzekutiv, kur këndej në Kuvend kemi shumicë të re parlamentare nga deputetë të LSDM-së, BDI-së, Aleancës për Shqiptare dhe Lëvizjes BESA. Mekanizmi tjetër për zgjidhje eventuale është dhe rritja e presionit jo vetëm atij të jashtëm, por dhe atij të brendshëm të Presidentit të Shtetit nga shumica e re parlamentare, pasi mosdhënia e mandatit shumicës parlamentare nga ana e Presidentit të Shtetit paraqet përgjegjësi kushtetuese.