Një nga policët që është aksidentuar në fatkeqësinë e djeshme në qarkoren e Shkupit, është lëshuar në mjekim shtëpiak. Ashtu siç informoi udhëheqësi i Qendrës Urgjente Kirurgjikale, Albert Lleshi, polici tjetër ka ndërruar jetë. Vozitësi i legjitimuar, veturën e të cili e ka goditur kamioni, është në kujdes intensiv, por është në gjendje stabile, njofton Portalb.mk.

“Pas 45 minutave, polici ka ndërruar jetë dhe në orën 19:45 është konstatuar vdekje. I lënduari më rëndë i cili është në Njësitin për Mjekim Intensiv, ka lëndime në kurriz, pjesën e djathtë të gjoksit dhe gjurin e djathtë dhe është në gjendje stabile”, tha Lleshi.

Ndryshe, dje pasdite në qarkoren e Shkupit rrugës për në Kosovë ka ndodhur një aksident tragjik ku në vendngjarje jetën ka humbur shoferi i makinës së përfshirë nga flakët pas aksidentit.

Aksidenti ka ndodhur kur policia ka tentuar të ndalojë një veturë të tipit BMW. Pas frenimit, një kamion ka goditur veturën BMW e cila pas goditjes është përplasur me veturën e policisë së markës Skoda Yeti.

Vetura BMW është përfshirë nga flakët, ku edhe si pasojë në vendngjarje ka humbur jetën shoferi, ndërsa dy policë dhe shoferi i kamionit ishin transportuar në spitalin e qytetit të Shkupit “Nënë Tereza”, ku pas disa orëve edhe ndërroi jetë polici Safet Bajrami.