Abdulla Mehmeti
Që në vitin e largët 1986, dijetari kroat Branko Horvat, njohës i shkëlqyer i rrethanave në ish Jugosllavi dhe jo vetëm, në veprën e tij ,,Çështja e Kosovës” dhe në disa shkrime të tjera, përmes analizave të thella shkencore i qaset edhe ,,çështjes maqedonase, të cilën ai e trajton si të mbyllur, të pazgjidhur dhe pa asnjë mundësi të rikthimit të saj në skenën politike për tu zgjidhur në të ardhmen. Kështu, ai e konteston edhe mbijetesën e Republikës së Maqedonisë pa shqiptarët, si element konstituiv të këtij shteti.
Populli maqedonas i ndarë në tri shtete, Greqi, Bullgari dhe Maqedoninë e sotme, i cili aktualisht jeton në një të tretën e territorit të njohur me emrin gjeografik Maqedoni, me identitet dhe gjuhë të kontestuar nga bullgarët; me kishë dhe të drejtë historike për identitet të veçantë, të kontestuar nga serbët; me histori të kontestuar nga shteti grek, si të falsifikuar dhe pa të drejtë të përdorimit të emrit Maqedoni si emër i shtetit; eksperti kroat me famë botërore, Branko Horvat, popullit maqedonas i sugjeron që mbështetje të kërkojnë tek shqiptarët, si mundësi e tyre e vetme për të mbijetuar si popull dhe shtet!
Sipas Branko Horvatit, këtij studiuesi dhe ekspertit për çështje ekonomike dhe politike, por edhe sipas shumë studiuesve dhe diplomatëve të tjerë evropianë dhe amerikanë, maqedonasit duhet të kërkojnë mbështetje tek shqiptarët; jo e kundërta, shqiptarët të kërkojnë mbështetje, përkrahje, ndihmë dhe mëshirë për të drejtat e veta kombëtare të ligjshme nga një popull i kontestuar në të gjitha anët nga fqinjët e vet!
Udhëheqësit e politikës së derisotme shqiptare, si e sollën situatën deri këtu, përgjigjen do ta jep historia, ndërsa neve sot na takon të jemi vigjilentë dhe të mos ua besojmë fatin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, turlifarë mercenarëve dhe agjentëve të shërbimeve të huaja, ngado që të vinë!
Përkulja para të huajve dhe nëpërkëmbja e dinjitetit kombëtar, janë vepra kriminale dhe tradhti!

(13 janar 2017)