Vdekje shqiptarëve!”, në gjuhën maqedonase është shkruar në Shtëpinë e Alfabetit të Shqipes, në Manastir të Maqedonisë.

Aty janë thyer edhe disa xhama dhe është vendosur një shpatë mbi trupin e shqiponjës dykrenore, simbolit kombëtar të shqiptarëve.

E gjitha kjo ka ndodhur në vigjilje të kremtimit të 108 vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në këtë shtëpi, e cila njihet si Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Pa dyshim se kjo shtëpi përbën njërin nga monumentet më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve. Në këtë shtëpi, intelektualë të mbledhur nga të gjitha anët, kur hapësirat shqiptare ishin nën sundimin e egër të Perandorisë Osmane, vendosën që shqipja të shkruhet me një alfabet mbështetur mbi bazë të alfabetit latin, vendim ky që shqiptarët i ktheu në rrënjët e tyre të vjetra evropiane.

Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir disa herë ka qenë cak i sulmeve vandale nga persona të panjohur të cilët kanë fshirë dhe mbishkrimin në tabelën ku shkruhet “Këtu ndodhet muzeu i alfabetit”.

Po ndërsa autoritetet policore në Maqedoni kanë informuar shkurt se janë duke hetuar rastin, pa dhënë detaje rreth aktorëve të mundshëm të veprimeve të tilla vandale, përfaqësues të subjekteve politike shqiptare, në vend të reagimeve serioze, më shumë kanë shqiptuar fraza të një nacionalizmi folklorik.

Madje kanë munguar fare reagimet nga institucionet tjera, përkatësisht nga Shqipëria dhe Kosova, sikundër që kanë munguar manifestimet për këtë ditë kaq të madhe për shqiptarët në të gjitha hapësirat e tyre.

Për Gazetën Zëri, rreth këtij rasti vandal, kanë folur poeti dhe gazetari nga Gostivari i Maqedonisë, Lulzim Haziri dhe profesori i historisë nga Prishtina, Frashër Demaj.

Haziri ka thënë për gazetën: “Aktet e këtilla janë më shumë sesa akte vandale personash të verbuar nga ksenofobia. Janë reflektim i politikës ksenofobe maqedonase, e cila institucionalisht dhe në vazhdimësi i ka trimëruar kryerësit e këtyre barbarizmave, të cilët asnjëherë nuk janë gjetur e as dënuar. Kjo politikë fiton përkrahje pikërisht nëpërmjet antishqiptarizmit, nëpërmjet refuzimit ndaj kulturës e gjuhës shqipe. Si e tillë, kjo politikë, e bën të pashpresë të ardhmen e këtij vendi, i cili nuk mund të mbijetojë nëpërmjet politikave të dominimit kulturor, gjuhësor apo etnik. Mjerisht, politika shqiptare në Maqedoni është aq e dobët sa nuk mund ta mbrojë as shtëpinë e Alfabetit, kurse Shqipëria dhe Kosova kanë frikë “mos përzihen në punët e brendshme” të Maqedonisë, duke harruar se aty është vendosur për alfabetin që e përdorin gjithë shqiptarët. Dikush mund të thotë se ky akt mund të ndërlidhet me zgjedhjet, me ndonjë fushate parazgjedhore, por unë nuk e besoj, sepse akte të tilla kanë ndodhur çdo vjet. Edhe sikur të lidhej me fushatën, sërish nuk ka ndonjë dallim. Vendi ku albanofobia të sjellë vota është i pashpresë”.

Historiani Frashër Demaj konsideron se ky objekt ka vlerë të madhe historike për shqiptarët dhe veprimet e tilla me motive nacional-shoviniste duhet të jenë të papranueshme: “Aktet e dhunshme që tejkalojnë përmasat e vandalizmit dhe shndërrohen në thirrje kriminale për ‘vdekjen e shqiptarëve’ janë veprime nacional-shoviniste të ekstremistëve maqedonas që ishin dhe mbeten në krizë identiteti. Shtëpia në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit, ku u vendos për Alfabetin Shqip është një nga monumentet më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare. Ajo identifikon edhe shqiptarësinë e qytetit të Manastirit, të pushtuar nga maqedonasit. Duke qenë kaq e rëndësishme është vlerë nacionale për të gjithë shqiptarët. Andaj ky veprim i ekstremistëve maqedonas është i papranueshëm dhe aktorët e tij duhet të ndiqen penalisht nga ana e institucioneve të drejtësisë së shtetit të Maqedonisë. Partitë politike shqiptare të Maqedonisë duhet t’u bëjnë me dije maqedonasve se vetëm respektimi i vlerave, kulturës, historisë dhe identitetit të njeri -tjetrit mund të jenë garanci e jetës së përbashkët. Gjithashtu edhe Kosova dhe Shqipëria, përkatësisht qeveritë e këtyre dy vendeve duhet t’i dërgojnë notë verbale qeverisë maqedonase dhe të ftojnë ambasadorët e Maqedonisë në Prishtinë dhe Tiranë në përgjegjësi. Maqedonasit duhet të kenë të qartë se shqiptarët në Ballkan janë ‘superfuqi rajonale’ që duhet respektuar dhe çdo provokim ndaj tyre mund të jetë me pasoja për Maqedoninë”, thotë Demaj për Gazetën Zëri, duke përfunduar se shqiptarët nuk mund të lejojnë cenimin e interesave të tyre kombëtare dhe nuk do të lejojnë përdhosjen e historisë dhe kulturës së tyre kombëtare.

Në këtë përvjetor të Kongresit të Manastirit Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mënyrë simbolike ka dekoruar 108 personalitete nga Maqedonia për meritat e tyre në avancimin e shqiptarëve, përkatësisht për kontributin në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Po këto dekorata jo të gjithë i pranuan, sepse pati të tillë që refuzuan të dekorohen nga Presidenti Thaçi.

Përveç sulmeve, objekti i Muzeut të Alfabetit ndodhet në një gjendje aspak të mirë.

Nga Ministria e Kulturës në Maqedoni thonë se në vazhdimësi janë ndarë mjete për këtë institucion, por ato pastaj janë bartur në projekte tjera që janë ndërlidhur me kulturën e maqedonasve, siç ishte rasti për ngritjen e shtatores së Filipit të Dytë. /ZËRI/