Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, sot ka dorëzuar njoftimin e Gjykatës për dënimin me burg të Nikolla Gruevskit, në Komisionin për çështje imuniteti dhe mandati. Kyetari i këtij komisioni Pavlle Bogoevski, tani ka afat 15 ditë që të caktojë seancë, ndërsa afati fillon prej nesër.

Komisioni për çështje imuniteti dhe mandati duhet të vendos nëse deputeti Nikolla Gruevski, pas dënimit me burg është ose jo i denjë që ta kryej funksionin e deputetit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas Rregullores së Kuvendit dënimet me burg të deputetëve janë shkaqet kryesore që mund t’u merret mandati.

Marrja e mandatit sipas Rregullores mund të bëhet edhe për deputetët të cilët pa arsye mungon gjashtë muaj në seancat e Kuvendit. Ndërsa mungesa e Gruevskit nëse shkon në burg do të konsiderohet si e “e arsyeshme”.

Deputetët e Gruevskit tashmë kanë dorëzuar kërkesë për shtyrjen e vuajtjes së dënimit, por kjo nuk do ta ndalojë procedurën për marrjen mandatit të deputetit për Gruevskin.