Fundjava por edhe java e ardhshme si duket do të jenë më të ngrohta se java e acartë që e lamë pas. Nesër do të ketë mjegull por edhe reshje të borës, mirëpo temperaturat do të ngriten dukshëm. Sinoptikët e Institutit për Hidrometeorologji thonë se temperaturat nën zeron si duket do të përfundojnë.

“Të dielën pritet një kohë stabile pa reshje. Temperaturat do të shënojnë një rritje të vogël. Ndërsa prej të hënës, presim të ketë të reshura më të shpeshta në pjesën më të madhe të vendit. Temperatura do të jetë në interval prej minus 1 deri në rreth 4 gradë. Presim që koha të zbutet pak. Do të ketë rritje të vogël të temperaturave kështu që nuk do të kemi mot shumë të ftohtë”, ka deklaruar Dushanka Tanushevska, sinoptikane.

Mesi i javës së ardhshme do të vazhdojë të përcillet me reshje bore dhe shiu por me mot më të ngrohtë.

“Më pas prej të martën dhe të mërkurën do të ketë rritje të temperaturave por të përcjella me pak të reshura bore dhe shiu. Në vendet më të larta kryesisht do të ketë reshje bore ndërsa në pjesët më të ulëta ka mundësi të paraqitjes edhe të reshjeve të shiut”, tha më tej ajo.

Javën që lamë pas temperaturat e acarta arritën deri në minus 23 gradë celsius duke shkaktuar ngrirje të rrugëve, çezmave dhe gjësendeve të ndryshme, por edhe vdekjen e disa personave kryesisht të pastrehë. Sot në mëngjes më ftohtë ishte në Shkup dhe Berovë me ­21 gradë. Minus 20 gradë janë matur në Manastir, 19 në Tetovë, ­18 në Kumanovë, Demir Kapi dhe Shtip, ­17 në Strumicë e të tjerë.