Prej sot  nuk do të mund të importohen automobilat më të vjetra se 10 vjet,  përkatësisht në shtet do të futen vetëm automjetete me më së paku Euro 4 standard.

Vendimi i tillë është sjellur me kërkesë të importuesve të automobilave të reja në vitin 2013, por me datë të vlefshmërisë prej 1 korrikut të këtij viti.

Ata të cilët kanë blerë automjete të përdorura me standard Euro 3 kishin afat deri mbrëmë ta paguajnë doganën dhe t’i përfundojnë të gjitha procedurat importuese. Afati për homologjacion tani për tani është i pakufizuar.

Sipas të dhënave të Drejtorisë doganore të Maqedonisë,  në katër muajt e parë të vitit janë importuar 9.500 automjete që është pothuaj dy herë më shumë se periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

Importi i automjeteve të vjetra ishte liberalizuar në vitin 2010, kur janë importuar edhe më së shumti automjete të përdorura, përkatësisht 51.399 automobila.