Kandidati republikan për president Donald Trump do të ketë një sfidë të vështirë në debatin e tretë përballë Hillary Clinton, ku do të kërkoj të kthejë në favor sondazhet aktuale të cilat favorizojnë kandidaten demokrate.

” Ky debat është jetik për Trump. Ai duhet të diskutojë për cështje të prekshme dhe jo të përfshihet në baltë, dhe duhet gjithashtu të flasë për punësimin “– u shpreh hartuesi republikan i strategjive elektorale, Charlie Black.

Në krahun tjetër ky debat mund të përcaktojë përfudnimisht fitoren e Clinton, e cila udhëheq në shumicën e sondazheve dhe parashikimeve paraprake.

“Në këtë pikë duket e vështirë që debati i fudnit të ndryshojë kursin aktual. Personalisht nuk shoh ndonjë mundësi që Trump të jetë aq pozitiv dhe Hillary aq negative në këtë debat sa për të përmbysur sondazhet “– deklaroi strategu elektoral i Partisë Demokrate, Steven Elmendorf.

Në një fushatë ku më shumë është folur për çështjet karakteriale të kandidatëve se sa për planimetrinë e politikave që do të ndiqen, të dy kandidatët i afrohen debatit final të dëmtuar nga ngjarjet e fundit.

Trump prej disa javësh po mundohet të kërkoj ndjesë dhe të justifikohet për fjalët dhe sjelljet e tij ofenduese ndaj grave, ndërsa Clinton ende nuk po arrin të sqarojë plotësisht cështjen e e-maileve gjatë kohës kur ishte sekretare e shtetit.

Megjithatë situata e biznesmenit njujorkez duket më e ndërlikuar, aq sa së fundmi Trump ka deklaruar se ky është një sulm mediatik e politik që po kryehet ndaj tij.

” Donald Trump duhet të heq dorë nga ankesat dhe të fillojë të shpalosë argumentet se pse duhet të jetë ai Presidenti i ardhshëm “-tha një tjetër prej strategëve elektoral të partisë republikane,  Scott Reed.

Ndërkohë që Hillary Clinton po fiton pikë edhe në bastionet e republikanëve dhe ka planifikuar që në 3 javët e ardhshme të kryejë një ndalesë në Arizona.

Debati përfundimtar mes 2 kandidatëve për President do të zhvillohet sot në orën 21 ose 3 e mëngjesit me orën tonë, në Universitetin e Las Vegasit.