Partitë shqiptare kanë komentuar programin qeveritar, i shpalosur në mënyrë joformale jashtë Kuvendit, në të cilin sipas pretendentit për kryeministër të Maqedonisë, liderit të LSDM-së, Zoran Zaev nuk parashikohet që gjuha shqipe të përdoret në monedha e në bankënota dhe në uniformat policore, pasi kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejt me Kushtetutën e Maqedonisë.

Lëvizja për Reforma- PDSH vlerëson se kjo parti është e interesuar të respektohet vullneti i shumicës, ndërsa për platformën e shpalosur thonë se do të jetë e kujdesshme që të respektohet çdo pikë e marrëveshjes mes partive shqiptare.

Nga ana tjetër as Lëvizja Besa në mënyrë të drejtpërdrejt nuk ka komentuar mospërdorimin e shqipes në valutën e vendit dhe në uniforma. Kjo parti do të përmbahet në komentimin e detajeve deri sa kryetari i LSDM-së të marr mandatin për kryeministër. Megjithatë kjo parti thotë që programi i LSDM-së duhet të mbindërtohet.

Nga BDI mbesin në qëndrimin e njëjtë se dygjuhësia në kartëmonedha dhe uniformat e policisë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.