Ndërtesa e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë prej sot pasdite është lëndë interesi e njësive policore dhe personelit të Prokurorisë Speciale Publike, mëson Alsat nga dëshmitarë okularë dhe nga të punësuarit e institucioneve të vendosura në këtë objekt.

Ekipi jonë pak më pare ka regjistruar para hyrjes së ndërtesës një automjet të njësisë policore Alfa dhe disa vetura tjera të policisë. Edhe nga Prokuroria Speciale Publike konfirmojnë se hetues të tyre të mbështetur nga policia janë prezent para ndërtesës së Bankës Popullore të Maqedonisë, për shkak të vendimit gjyqësor për marrjen e dokumenteve nga Regjistri Qendror I Maqedonisë.

Hetuesit e prokurorisë dhe policia do të qëndrojnë para godinës së BPM-së deri nesër në mëngjes kur edhe pritet të fillojnë me punë të punësuarit në Regjistrin qendror, për  të parandaluar çdo tentim për asgjësimin e dokumenteve që mund të jenë lëndë interesi për Prokurorinë Speciale.