Partia e kryeministrit grek Cipras, Cyryza e cilësoi si dështim të opozitës protestën e një dite më pare në Athinë, kundër përdorimit të termit Maqedoni, në zgjidhjen e kontestit të emrit. Shefi i diplomacisë greke Nikos Kocijasijas në një postim në tuiter ka shkruar se as masiviteti i protestës nuk do të ndalë së negociuari për zgjidhjen e kontestit. Por Panos Kamenos, lideri i partisë “Grekët e Pavarur”, që është pjesë e Qeverisë mbështeti protestën e një dite më parë duke shtuar se ajo ishte shpirt i grekëve, të pavarur nga partitë dhe askush nuk mund të mos i respektojë. Edhe lideri i partisë më të madhe opozitare, Kyriakos Micotakis tha se protesta e djeshme ishte protestë e pavarur, pa ngjyra politike.

Të shprehurit e krenarisë kombëtare nga qindra mijëra qytetarë që u mblodhën në Sheshin Sintagma nga çdo pjesë e vendit nuk ka ngjyrë politike. Askush nuk ka të drejtë ta shfrytëzojë politikisht një tubim të tillë aq të madh. Qytetarët shprehën agoninë e tyre. Mungesën e besimit ndaj një qeverie që, në vend që të bashkëpunonte me opozitën që së bashku të formonin linjën kombëtare, bëri gjithçka që ishte e mundur për t’i ndarë partitë politike dhe popullin grek mbi një çështje kyçe kombëtare – tha Kyriakos Micotakis, Kryetar i Demokracisë së Re.

Kryetari i Selanikut Butaris tha se protesta nuk duhet të ndikojë në negociata, ndërsa shtoi se për të do të ishte i pranueshëm emri “Maqedonia e Re”.

Greqia duhet të tregojë seriozitet dhe t’i ndihmojë këta njerëz të fitojnë një identitet dhe të lëvizin më tej. Unë nuk do të doja të thosha ‘Maqedonia e Shkupit’ por nuk kam asnjë problem me termin ‘Maqedonia e Re’. Grekët nën malin Olimp dhe në Kretë nuk janë të vetëdijshëm për problemin. Ata nuk e dinë se Maqedonia gjeografikisht nuk është vetëm greke, dhe se në disa fshatra në Kastori dhe Florina ka njerëz që ende flasin serbo-maqedonisht – u shpreh Janis Butaris, Kryetar I Komunës së Selanikut.

Nga ana tjetër ish ministri i jashtëm i Suedisë, Karl Bild, njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan, ka thënë se BE-ja duhet ndihmuar në arritjen e zgjidhjes për emrin.

Mendoj se ka nevojë për përkushtim nga shtete dhe Institucione të rëndësishme të BE-së që të arrihet një kompromis për emrin e Maqedonisë. Por pa një të tillë, strategjia e BE-së për Ballkanin rrezikon kolaps – tha Karl Bild, Ish Ministër i Jashtëm i Suedisë.

Autoritetet njoftuan se në protestën e djeshme kanë marrë pjesë 140 mijë qytetarë, ndërsa organizatorët pretendojnë se në protestë kishin marrë pjesë 1 deri në 1 milion e gjysmë qytetarë./alsat