Protesta naive, e pa artikuluar qartë, e (a)politizuar sërish jep mesazhe për ata që dinë t’i lexojnë dhe shohin. Ligji i amnistisë për 27 prillin lëkund fuqishëm besimin, se ligjet do të sillen, zbatohen apo interpretohen në interes të njerëzve. Gjesti i Abedin Zymberit mund të keqkuptohet sa të dojë, por në thelb – ka idenë se jeta duhet jetuar me dinjitet. Siç tha dhe ai vetë, “lulet tek martirët, duhet të simbolizojnë të ardhmen”, sa do që veprimi ngjall diskutim

Nga Nazim RASHIDI

Aq shumë ngjarje ndodhin sa që kur je në medie vazhdimisht ke presion si nga vetë zhvillimet, ashtu edhe publiku që të trajtohen të gjitha gjërat, por sfida me kohën është sfilitëse. Megjithatë, do të flas sot për tre zhvillime dhe të gjitha në vetvete kanë të ngërthyer protestën.

  1. Studentët

Ajo që sa vjen e vihet re më shumë e më shumë është një ndarje dhe një shkëputje e prioriteteve mes brezave. Këtë e them në kontekst politik. Politikanët e elitës, që vinë nga përvoja specifike dhe që veprimet ju lidhen ngushtë me të drejtat dhe liritë, me periudhat sfiduese etnike por dhe të mbijetesës, pra disi ata që janë mbi 50 vjeçar, po krijojnë me një shkëputje konstante me brezat e rinj. Мbi 20 vjeçarët, që eksperiencat e jetës ndonëse të vogla, por rriten me përfitime e realitete që i konsiderojnë të mirëqena.

Pavarësisht se retorika politike, e politikanëve të elitës, ka të bëjë me etninë e me të drejtat, realitetet e brezave më poshtë, kanë të bëjnë me vetë jetën dhe mbijetesën. Kjo përplasje prioritetesh sjell nevoja të ndryshme që shkojnë përtej fjalëve.  Një brez që rritet me teknologji në duar, i bombarduar me mirëqenien nga perëndimi, në disa raste ende s’ka ujë, apo dhe rrugë.  Në një periudhë ku çështjet etnike janë në plan të dytë, presioni i brezit që vjen, me nevojat e tij, disi nuk kuptohet fuqishëm nga elita politike. Si rrjedhojë, shikoni debatet, reagimet, komentet në rrjetet sociale… apo dhe së fundmi protesta në Tetovë.

Sa do e politizuar ose jo, sikur edhe një akuzë e shprehur aty të jetë e vërtetë, dorëheqjet nuk do të vlejnë asnjë gjë. Por, elitat politike apo dhe universitare janë totalisht të shkëputura nga kërkesat dhe vrulli. Sepse ngritja e tyre në sferën publike ka pasur rrugë tjetër dhe kërkesat e atyre që vinë kanë nevoja të tjera.  Studentët dhe jo vetëm flasin për parime dhe vepra të cilat nuk shihen.

Dhe s’ka më simbolike se periudha e vitit në të cilën gjendemi. Veç ku ka shqiptarë (me përjashtime) në Maqedoni, s’ka asnjë shenjë feste për vitin e ri. Mu dha rasti pak ditë më herët të shkoj në disa qytete jashtë Maqedonisë, atje vlon nga njerëz nga qytetet tona. Por asnjë nuk gëzon me qytetet tona. Isha dhe në Ohër, e njëjta gjë. Pra kjo është zymtësia të cilën e reflekton klasa politike me retorikën e vjetruar dhe me veprën  e munguar. Prandaj dhe sensi i protestës do të rritet. Nuk bëhet fjalë më veç për përplasje brezash, por dhe realitetin të cilin e shohin ndryshe të gjithë.

Këtu, në këtë mishmash vlerash dhe mungese perspektive, e cila duhet të ketë në esencë dijen, na shfaqen tendencat e dyshimta, që duan të përfitojnë terren për interesat të ndryshme.  Prandaj, edhe për ligj të natyrës, forca është tek ata që vijnë. Por, si do vijnë? Për mua sikur veç edhe një profesor të zbulohet se ka diplomë fallso, sikur veç edhe një profesor të zbulohet se ka punim plagjiaturë, sikur veç edhe një administrator në universitete të mbajë përgjegjësi për kaosin e edukimit, gjithçka do t’ia vlejë.  Por, a janë prioritetet e njëjta mes politikës të elitës dhe nevojave reale?

  1. Ligjet

E gjitha është tek konceptet, por dhe mendësia. Baza do të duhet të jenë ligjet. Zbatimi i tyre.  Por mendësia jonë është që ligji duhet të vlejë për të gjithë përveç të tjerëve.  Si rrjedhojë kemi universitete që mësojnë për ligje dhe nëse akuzat janë të vërteta, mos zbatimin e tyre, pikërisht nga vendet nga duhet të dalin. Prandaj dhe s’kemi momentin ku elitat politike të fuqizohen me idetë dhe veprime, në mënyrë konstante. S’di (dhe do më falin nëse është faji im) për studime apo dhe propozime për situatat aktuale që të vinë nga shkollarët tanë. Ja jemi në një nga momentet më specifike të Maqedonisë, ku siç thonë zyrtarët ndërkombëtar, vendi duhet të lundrojë në një vijë të hollë, mes zbatimit të ligjit dhe kompromisit.

U miratua “ligji për amnistinë”, por ku janë vlerësimet? Të universiteteve? Të instituteve? Çka duhet bërë? Çfarë bën e nuk bën? Sigurisht që askush nuk pranon “vrasje” të dytë, por qëndrimet më të qëndrueshme a nuk duhet të burojnë nga institucionet? Dhe e gjitha na sjell tek politizimet. Në fakt na lodhi kjo gjë! Po çlirimi duhet të ndodhë.  Dhe ndryshimet ndonjë herë fillojnë dhe nga individët.

  1. Guximi

E gjithë historia e njerëzimit ka të bëjë me guximin. Disa herë edhe nga guximtarë të sinqertë në veprim, por me shpresë të madhe. I tillë mu duk dhe veprimi i Abdin Zymberit, që fali një “branitell”, për viktimat e familjes së tij, nga forcat speciale maqedonase në konfliktin e vitit 2001. Një partiak më shkroi, dhe siç janë të mbështjellë, me plot konspiracion, tentoi të shohë politikë në këtë gjest. Por për mua skandalozja ishte, se komenti i tij, është vetëm pjesë e atmosferës mbytëse ku politika mendon se duhet të jetë në qendër me çdo kusht, ku nuk sheh për rreth realitetin dhe prirjet dhe ku ndihet e sulmuar sepse nuk është e përfshirë në akte që duket se ia marrin terrenin. Në kodet shqiptare, falja është peshë e rëndë. Gati heroike. Dhimbjet personale janë drama të mëdha, të cilat kanalizohen në mesazhe progresi, s’ka shumë vend për spekulime. Por të rrethuar me ambient pa parime, ku interesi është parësor, edhe gjeste sinqeriteti shihen me dyshim.

Ky është kontaminim që i pengon atyre që vinë dhe si rrjedhojë edhe reagimet janë të pakuptueshme nga politika e elitës, e cila fokusin shpesh  e ka veç te vetja.  Të gjithë e dinë se pranverat nuk vinë me një lule, por ama gjithmonë ka një lule të parë.

Protesta naive, e pa artikuluar qartë, e (a)politizuar sërish jep mesazhe për ata që dinë t’i lexojnë dhe shohin. Ligji i amnistisë për 27 prillin lëkund fuqishëm besimin, se ligjet do të sillen, zbatohen apo interpretohen në interes të njerëzve. Gjesti i Abedin Zymberit mund të keqkuptohet sa të dojë por në thelb ka idenë se jeta duhet jetuar me dinjitet. Siç tha dhe ai vetë “lulet tek martirët, duhet të simbolizojnë të ardhmen”, sa do që veprimi ngjall diskutim. Por esenca është tek ata që nuk duan të ikin nga zona e rehatisë. Sepse lëkundja e statuskuosë nga ata që e mbajnë, asnjëherë s’do pranojnë ndryshimin, për deri sa nuk mençurohen e ta kuptojnë se mund të bien në humnerë, ose të shpëtojnë duke u bërë urë në rrjedhjen e zhvillimit nga brezi në brez.