(VIDEO) PSE PO IKIN TURISTËT NGA KODRA E DIELLIT?! ELEM NUK PËRGJIGJET!IZET ZEQIRI: NUK PO INVESTOHET ASPAK!Për më tepër: http://tv21.tv/web/?p=115252

Gepostet von TV21 am Samstag, 21. Januar 2017

Kohë e mirë por jo shumë turist, kështu dukej sot ski qendra Kodra e Diellit. Edhe ata që kishin ardhur nuk ishin të kënaqur me kushtet. Disa vizitorë që intervistuam thonë se kjo qendër skijimi është lënë pas dore, duke mos parë asnjë investim të ri për disa vite me radhë.

“Dje isha në Mavrovë për shkak të situatës së keqe këtu në Kodër të Djellit, atje ishte shumë më mirë dhe shumë më e rregulluar. Kodra e Djellit është e lënë mbas dorë. Borë plot por nuk e rregullojnë dhe nuk e shtypin”, u shpreh Naser Rexhepi, turist.

“Kosovar nuk ka, turistet e Shqipërisë shkuan të gjithë në Mavrovë. Kjo vjen duke u zhdukur. Nuk e di në interes të kujt është kjo. Nuk funksionon asgjë, më shumë rrinë të prishtë këto skiliftat se sa të rregulluar. Kushtet e dobëta. Nuk investohet asgjë, është e lënë pas dore. Sikur të dëshirojnë ta zhdukin këtë qendër skijimi në Kodër të Diellit”, tha Lutfi Shabani, turist.

E ata që e vërejnë më së shumti mungesën e turistëve janë tregtarët dhe pronarët e bizneseve private në këtë qendër skijimi. Shapi Shahini thotë se për shkak të mungesës së kushteve, turistët po pakësohen nga viti në vit. Shahini druan se kjo dukuri do e len atë pa punë.

”Më pengon shumë po më nuk kam çfarë të bëj, nuk kam ku të shkoj dhe çfarë të punoj. Duhet të investohet, duhet rrugët të pastrohen, duhet të bëhet borë artificiale, duhet të ketë parking, duhet të ketë VC publike, asgjë nuk ka. Kjo ndikon shumë negativisht. Edhe vjet ka qenë dobët edhe sivjet është shumë dobët“, tha Shaip Shahini, Pronar i biznesit të vogël në Kodër të Djellit.

Udhëheqësit e kësaj qendre turistike sot nuk deshën të komentojnë asgjë.

“Të gjitha këto ankesa që dëgjuat nga vizitorët, turistët por edhe pronarët e bizneseve private këtu në Kodrën e Diellit, u adresuan drejtë udhëheqësisë së kësaj qendre turistike. Drejtori Bekim Selmani assesi nuk pranoi që të prononcohet para kamerës së TV21, dhe të shpjegohet se nga po vijnë të gjitha këto ankesa.”

Mungesa e investimeve është arsyeja kryesore e rrënjës së numrit të vizitorëve në Kodër të Diellit, thotë ekonomisti Izet Zeqiri. Ai thotë se investimet në sferën e turizmit po nuk po adresohen atje ku duhet.

“Është një problem evident se politika qeveritare në sferën e turizmit është zhvendosur nga resurset shumë potenciale siç është Kodra e Djellit e njohur ndërkombëtarisht, në ndërtimin e ski qendrave të cilat aspak nuk kanë mundësi për tu zhvilluar dhe për tu krahasuar me Kodrën e Diellit, siç është ski qendra që bëhet Vodno, në Pëlister, në Kopanci etj. Është thjeshtë një injorim i një resursi dhe një potenciali shumë të fuqishëm ekonomik për Komunën e Tetovës por edhe për të gjithë shtetin e Maqedonisë”, tha Izet Zeqiri, akademik.

Problem në vetë është edhe mosfunksionimi i teleferikut thuaj se për 16 vite me radhë, pasi që në vitin 2001, ishin dëmtuar kabllot që mbajnë kabinat.