Kryetari dhe deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, ka deklaruar se historia na mëson që duhet të jemi tejet të shqetësuar dhe të vëmendshëm sa herë që këta të dy pretendojnë se po e mbrojnë interesin e Kosovës.

“Kryesia e Kuvendit sot paska vendosur që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta shqyrtojë të premten në lexim të parë Projektligjin për Trepçën, dhe pastaj të hënën ta përfundojë leximin e dytë, dhe të miratohet ligji në tërësi. Ndërkohë që projektligji ende nuk është diskutuar as në Qeveri dhe nuk ka asnjë informatë të vetme për përmbajtjen e tij. Përveç deklarimeve të kota të Kadri Veselit e Isa Mustafës se ligji do të jetë në përputhje me interesat e Kosovës”, ka shkruar Ymeri në profilin e vet në “Facebook”. Sipas tij historia na mëson që duhet të jemi tejet të shqetësuar dhe të vëmendshëm sa herë që këta të dy pretendojnë se po e mbrojnë interesin e Kosovës. “Aq me tepër më shqetëson, dhe më bën të dyshoj, ngutia e trajtimit të projektligjit. Është e vërtetë se Trepça rrezikon të futet në proces të likuidimit më 2 nëntor nëse ajo mbetet nën AKP-në. Tërheqja qyqare e Mustafës, Thaçit e Veselit në janar të vitit 2015 nuk e shpëtoi Trepçën, siç pretendojnë, por ia vazhdoi asaj amullinë dhe kërcënimin”, ka thënë ai. Sipas tij kjo nguti e trajtimit të shpejtë të projektligjit në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet. “Përveç nëse po duan ta miratojnë Ligjin për Trepçën shpejt e shpejt për ta fshehur përmbajtjen e tij. Çka po fshehin? Prej kujt po e fshehin? Më mirë thënë, prej kujt po frikësohen? Nëse projektligji qenka në përputhje me interesat e Republikës së Kosovës, ekonomisë sonë, në interes të minatorëve, atëherë pse po u dashka të fshihet?”, ka thënë ai.