Prokurori i Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Gavrill Bubevski ka thënë se është i kënaqur nga aktvendimi për rastin “Trust”, ku të akuzuarit të parë Sead Koçan i është shqiptuar dënim me gjashtë vjet burg, ndërsa të akuzuarit të dytë, Vasilije Aviroviq tre vjet burg.

Bubevski ka thënë se masa e paraburgimit për Koçanin nuk është e domosdoshme, pasi për të është dhënë garanci se nuk do të arratiset.

“Përgëzoj gjykatën për konfiskimin, pasi kjo është hera e parë kësisoj të konfiskohet pronë sipas parimit bruto. Kjo mënyrë me siguri e bën prevenimin më të madh nga veprat e ardhshme penale. Bëhet fjalë për parim që e kanë të gjitha sistemet më të zhvilluara juridike”, ka thënë Bubevski duke shtuar se në këtë mënyrë po bëhet goditje e drejtpërdrejtë ndaj përfitimit ekonomik të veprës penale.

“Pra rreth 90 për qind e asaj që është sasi e konfiskimit përkohësisht është siguruar me pronën e patundshme të të akuzuarve”, ka thënë Bubevski.

Ndryshe, për këtë lëndë, nëntorin e kaluar u mbajtën mbi 20 seanca gjyqësore.