Prokuroria speciale pas dy ditëve të kaluara në Policinë sekrete u largua me një pjesë të të dhënave për bisedat e përgjuara. Pas opstrukcioneve nga DSK-ja, për çka Prokuroria speciale publikisht u ankua, ekipi i Katica Janevës pas kujdestarisë plotë ditore i siguroi të dhënat nga sistemi për ndjekjen e komunikimeve si dhe urdhëresave gjyqësore për masat e posaçme të aprovuara për hetim. Tani Prokuroria speciale do të hetojë se kush ka urdhëruar përgjimin, cilat numra të telefonave janë ndjekur dhe për çfarë qëllimi. Prokurorja speciale, lençe Ristovska, paralajmëroi se mungon edhe pjesa me të dhëna që duhet t’i sigurojë përfaqësuesi i kompanisë “Erikson”.

“Sapo të marrim informatë kur të mbërrijë eksperti, do të fillohet me zbatimin edhe të asaj pjese të urdhëresës gjyqësore dhe kjo është ajo që deri tani mund ta themi. Është me rëndësi se në pjesën më të madhe të urdhëresave gjyqësore të cilat i posedojmë, tashmë janë zbatuar. Për pjesën e mbetur varet nga eksperti i jashtëm i cili pas mbërritjes së tij, do të arrijmë, shpresoj, ta zbatojmë edhe në këtë pjesë urdhëresën gjyqësore”, tha Lençe Ristovska, prokurore speciale.

Ndryshe, Prokurorja speciale, Katica Janeva kujtoi se sigurimi i masave të posaçme hetimore dhe bisedat e përgjuara janë me rëndësi thelbësore. Përmes tyre, prokuroria speciale do të përcaktojë se kush ka përgjuar në mënyrë të paligjshme në Maqedoni, policia sekrete apo shërbimet e huaja, siç pohonte ish kryeministri Nikolla Gruevski. Seanca gjyqësore për rastin “Puçi” ku të akuzuar janë kryetari i LSDM-së Zoran Zaev dhe ish kryeshefi i DSK-së Zoran Verushevski është caktuar për 1 nëntor. Deri atëherë ekipi i prokurorëve në Prokurornë speciale duhet t’i kontrollojnë të gjitha urdhëresat për masat e posaçme hetimore që janë marrë nga DSK-ja dhe t’i krahasojnë me bisedat e përgjuara që i ka kryer policia sekrete nga viti 2008 deri në vitin 2015./Alsat-M