Vladimir Putin është subjekti i një serie dokumentarësh të Oliver Stone, që do të transmetohen për 4 ditë rresht, duke nisur nga 12 qershori.

Shefi i Kremlinit rrëfen për regjisorin e madh të “Hollywood”-it, detaje nga jeta e tij, mbi të cilat nuk është diskutuar më parë. Putin tregon sesi u ka shpëtuar 5 atentateve dhe e pranon se, nxjerrja e informacioneve nga Edward Snowden ishte e gabuar, por kjo – sipas presidentit rus, – nuk e bën atë tradhtar.

Dokumentari me 4 pjesë është xhiruar përgjatë dy viteve dhe përfshin disa bashkëbisedime të gjata të Stone me udhëheqësin rus.

“Mendoj se Snowden nuk duhej ta kishte bërë një gjë të tillë”, shprehet Putin. “Nëse nuk i pëlqente asgjë nga puna e vet, thjesht mund të kishte dhënë dorëheqjen”.

Udhëheqësi 64-vjeçar nuk i justifikon metodat e njeriut të shumëkërkuar nga Amerika, por nga ana tjetër mendon se edhe NSA-ja shkoi shumë larg me praktikat e saj të përgjimit.

“Të tentosh përgjimin e aleatëve të tu, kur i konsideron të tillë vërtet dhe jo vasalë, kjo është e shëmtuar. Është e tillë sepse gërryen besimin dhe të dëmton edhe ty vet sigurinë tënde kombëtare”, arsyeton Putin.

Stone heq disa paralele mes rastit të Snowdenit dhe atij të Putinit vet, që e braktisi në vitin 1991 shërbimin sekret sovjetik “KGB”, sepse nuk ishte dakord me përpjekjen e grushtit të shtetit të organizuar nga një grusht drejtuesish të linjës së ashpër të Partisë Komuniste kundër Mikhail Gorbachev.