Qendra Sportive-Tetovë, banorët ultimatum komunës

Një grup qytetarësh të Tetovës kanë protestuar sot në shenjë pakënaqësie ndaj autoriteteve komunale. Banorët akuzojnë komunën se ka lënë pas dore realizimin e projekteve të premtuara, përfshi edhe Qendrën Sportive. Ata kërkojnë intervenimin e menjëhershëm tek Qendra Sportive, si në infrastrukturë po ashtu edhe tek këndi i fëmijëve, në të kundërtën kërcënohen se punët do ti marrin në duart e veta. 

“Qëllimi kryesor yni është rregullimi i qendrës sportive. Ne nuk kemi probleme as me konçesionerin as me komunën apo dikë që menaxhon me këtë hapësirë. Qëllimi ynë është një qendër sportive më e mirë. Nëse ata nuk fillojnë me punë brenda dy javësh këtu, fillojmë vet neve”.

“Unë si banor i Tetovës e mbaj mend Qendrën Sportive ndryshe nga kjo që shihni tani. Pas 40 vitesh me prindërit e mijë sërish erdha këtu, kjo ishte oazë e gjelbër e qytetit ku mblidheshin rinia. Por nuk ishte si tani, vetura nga të gjitha anët deponi tjera”.

Nga ana tjetër, kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi porositi protestuesit që të kenë durim sepse gjërat që nuk janë bërë për njëzet vjet nuk mund të bëhen për dy vite.

“Normalisht që gjërat bëhen një nga një. Ne sot promovojmë terrenin e stadiumit, ashtu siç e thash pas 20 vite mos investim dhe mos prekje në këtë drejtim. Kështu ngadalë do arrijmë edhe në vendet tjera ku ka kërkesa të kësaj natyre. Ne i mirëpresim kërkesat e qytetarëve. Ashtu si kemi punuar këtu do arrijmë edhe atje, edhe për atje jemi të përgatitur me projektet tona dhe besoj se askush nuk mendon se ata që nuk janë bërë për 20 vjet dikush t`i bëj për katër vjet dhe mendoj se ndoshta duhen edhe nja 20 vjet që të bëhen të gjitha ato që nuk janë bërë”, tha Teuta Arifi. Kryetare e komunës së Tetovës.

Projekti i rregullimit të Qendrës sportive të Tetovës, është projekt i cili aktualizohet në çdo cikël zgjedhor, por që futet nën tepih sapo të kalojnë zgjedhjet.