Aspirata jonë për të qenë pjesë e BE-së është ndoshta më e drejta që kemi pasur ndonjëherë, por Pallati Qeveritar që i ngjan aq shumë “Pallatit të Ëndrrave” të Kadaresë, duhet zbrazur urgjentisht nga të gjithë Don Kishotët dhe Sanço Pançot që vrapojnë nga hoteli në hotel, nga restoranti në restorant, si një tufë ujqërish të paparë, duke provuar lukse që as nuk i kuptojnë, duke i mbushur llogaritë e tyre bankare, duke veshur kostume që vetëm pantallonat ju kushtojnë sa rroga vjetore e një qytetari fatlum që ka arritur të punësohet

Nga Dr. Arben Taravari

Një nga problemet më të mëdha të mentalitetit politik ballkanik është interpretimi që i bëjnë zgjedhjeve politike, pushtetit dhe figurës së politikanit. Natyrisht që Maqedonia është një nga anëtarët “A List” duke pasur një nga historitë politike më të trishtueshme të shteteve jo vetëm të Rajonit por pa asnjë mëdyshje të së gjithë botës!

Sa herë që bëhen Zgjedhje Politike tek ne gjithçka zhvillohet rreth/për kandidatët që garojnë, dhe asnjëherë as nuk është imagjinuar që në fakt Zgjedhjet bëhen për votuesit. Votuesi dhe vetëm Votuesi duhet të jetë faktori kryesor për të cilin dedikohet një armatë e tërë partish, forumesh dhe degësh partiake. Mirëpo tek ne ka ndodhur dhe ndodh krejtësisht e kundërta, është populli që trajtohet si partner tregtar në Zgjedhje, dhe pas tyre si insekt bezdisës që shpesh herë detyrohet ja të largohet me hir dhe ja me pahir!

Nga ana tjetër, falë Zotit ne kemi popuj dhe mbi të gjitha shtete që na duan, pasi kanë shekuj që i kanë kaluar krizat identare dhe komplekset e inferioritet që Maqedonia e Veriut ka. Duke parë standardin danez, amerikan, gjerman, zviceran apo suedez të jetës, ne na duket sikur shikojmë filma të Realizmit Magjik, sikur lexojmë ndonjë faqe nga përrallat e Hoze Luis Borgezit dhe pasi që jemi vite me radhë viktima të një politike donkishoteske realiteti i vende perendimore, na duket utopik për t’u zbatuar në lagjet apo qytetet tanë të varfër që sa vijnë e braktisen!

Aspirata jonë për të qenë pjesë e BE-së është ndoshta më e drejta që kemi pasur ndonjëherë, por Pallati Qeveritar që i ngjan aq shumë “Pallatit të Ëndrrave” të Kadaresë, duhet zbrazur urgjentisht nga të gjithë Don Kishotët dhe Sanço Pançot që vrapojnë nga hoteli në hotel, nga restoranti në restorant, si një tufë ujqërish të paparë, duke provuar lukse që as nuk i kuptojnë, duke i mbushur llogaritë e tyre bankare, duke veshur kostume që vetëm pantallonat ju kushtojnë sa rroga vjetore e një qytetari fatlum që ka arritur të punësohet në Maqedoninë e Veriut, dhe pra ky grup kriminelësh të veshur me kollare dhe papion, duhet të largohet Tani nga qeveria!

Nuk na mungojnë ekspertët, madje i kemi aq të aftë sa po shumë shtete po i marrin si persona të çmuar, madje kjo ēshtë një histori tjetër, sepse marrja e fuqisë së punës nga Maqedonia e Veriut më kujton shumë El Doradon, por le të mbetemi tek urgjenca që kemi për Qeveri Profesionistësh!

Nëse ka ndokush që nuk kupton ndonjë pjesë të fjalës “Urgjencë” kjo fjalë latine mbart kuptimin e një veprimi të menjëhershëm, të tanishëm, të domosdoshëm! Unë kam punuar me orë të tëra si mjek në urgjencë, dhe jam shumë i qartë ndaj kuptimit të urgjencës, ashtu si janë të qartë ata mijëra e qindra mijëra familjarë të cilët së bashku me mua, kanë kaluar orët shekullore të urgjencës!

Ndërhyrja në organin qeveritar ka të njëjtën nevojë akute, si pacientët më shumë të vdekur se sa të gjallë që vinin në spital! Një qeveri me njerëz profesionistë, të cilët nuk do të marrin funksione qeveritare për shkak të partisë që kanë por për shkak të aftësive intelektuale dhe profesioniste që gëzojnë është ekipi i vetëm që mund t’a çojë shtetin drejt BE-së. Një skuadër që e do punën, që di t’a bëjë punën është formula aspak magjike por totalisht racionale, e cila do të shtronte rrugën për në Evropë.

Dhe kemi aq shumë profesionistë që jetojnë ende këtu, të cilët duhet të lutemi që të mos kenë ikur kur të mbledhim mendtë e të bëjmë një Qeveri profesionistësh, Qeverinë e BE-së. Ndarjet partiake, të cilat 99% vijnë nga konfliktet personale dhe aspak nga ndryshimet ideologjike partiake, kanë krijuar terren shumë të favorshëm që tufa e polikriminelëve të ushtrojë aktivitetin e saj, mirëpo le të mos biem në kurthin e të shkuarës dhe le të shikojmë përpara: terapia urgjente është punësimi i sa më shumë ekspertëve apartiakë në Qeveri, është ora e urgjencës ndaj ndërhyrja në Qeveri ka rëndësi vitale/jetike!