Qeveria e Maqedonisë mbrëmë në seancë e ka pranuar raportin për bisedimet e mbaruara dhe harmonizimin e tesktit të marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, kumtojnë nga qendra informative e Qeverisë, njofton Portalb.mk.

Qeveria solli vendim me të cilën caktohet kryeministri, Zoran Zaev, që ta nënshkruaj marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Bullgarisë dhe Maqedonisë.

Deri më tani, opinioni nuk ka pasur mundësi që ta shohë se çfarë përmban marrëveshja mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Pas insistimit të shumtë të opozitës, kryeministri, Zoran Zaev, i ftoi deputetët e VMRO-DPMNE-së që në seancë të mbyllur ta shohin se çfarë përmban marrëveshja.

Kryeministri Zaev, paraprakisht ka deklaruar marrëveshja me Bullgarinë hapë perspektiva serioze për Maqedoninë, ndërsa prej saj Maqedonia ka përfitim serioz. Marrëveshja do të dakordohet kur ta ratifikojë Parlamenti.

Ai shtoi se marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është mbyllje e një kapitulli, që ka qenë problematik në periudhën e kaluar.

“Pas të gjitha sugjerimeve të cilat do t’i marrim prej opinionit të ekspertëve, nga Parlamenti dhe Qeveria, shpresoj se do të vijë drejt kontraktimit të marrëveshjes. Marrëveshja sillet prej Parlamentit. Parlamenti në fund voton. Nëse diçka është në dëm të Maqedonisë, Parlamenti ynë ka përgjegjësi të drejtpërdrejt ndaj qytetarëve dhe nuk duhet të frikësohemi. Nëse diçka është mirë, Parlamenti do të votojë. Unë si politikan i udhëzuar mirë, i cili edhe më tej e kërkon mbështetjen e qytetarëve, nuk do të lejoj që asnjë fije t’i mungojë Maqedonisë në perspektivat e saj”, theksoi kryeministri Zaev.

Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ka thënë se “opinioni do të ketë kontroll të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë kur do të nënshkruhet zyrtarisht dhe do të jepet në ratifikim në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

“Opinioni do të ketë kohë të mjaftueshme të debatojë, të bisedojë (marrëveshjen me Bullgarinë). Shumë është e vështirë të publikohet para nënshkrimit. Ne që nga Pavarësia e Maqedonisë prej vitit 1991 nuk kemi përfshirje të tillë të dukshme në Kuvend dhe në opozitë për një punë të tillë. Procedurat kushtetuese janë: ka grupe negociatore, bisedohet pastaj ai tekst miratohet në Kuvend. Këtu ka shumë kohë për debate edhe në opinion dhe në opozitë”, tha Dimitrov.

Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev, me delegacion të lartë nga Qeveria, muajin e kaluar vizitoi kreun e lartë të Bullgarisë, të cilët shprehën se duhet të intensifikohen marrëdhëniet e mira ndërfqinësore për bashkëpunim të mëtutjeshëm mes dy shteteve.