Kryeministri Zoran Zaev sot u takua me përfaqësues të Organizatës sindikale të të punësuarve në filialin e tërheqjes të trenave në MZH Transport, të kryesuar nga kryetari i sindikatës Gjoko Ilievski, përcjell Fol.

Në takim u diskutua për problemet me të cilat ballafaqohet kjo kompani, kushtet e punës në të cilat punojnë punëtorët, si dhe perspektivat e reja që hapen për transportin hekurudhor në Maqedoni me rritjen e interesit për ndërtimin dhe kompletim të korridoreve tetë dhe dhjetë, kumtoi shërbimi qeveritar për media.

Në këtë drejtim, Zaev theksoi se Qeveria ka përcaktim sistematik në gjetjen e zgjidhjes së përhershme të problemeve në Hekurudhat e Maqedonisë.

Kryeministri vlerësoi se gjetja e zgjidhjes është e rëndësishme sepse hapen perspektivat ekonomike për transportin hekurudhor me kompletimin e Korridoreve tetë dhe dhjetë, me çka hapen mundësi që Maqedonia të bëhet nyje transportimi në Ballkan edhe në transportin hekurudhor edhe në atë rrugor, shtohet në kumtesë.

Zaev i dëgjoi kërkesat e punëtorëve të organizuar në këtë sindikatë dhe tha se përmes dialogut të ndërsjellë midis Qeverisë, organizatave sindikale dhe stafit menaxhues të HM do të shqyrtohen mundësitë dhe do të merren vendime për zgjidhje të përhershme dhe sistematike të problemeve në Hekurudhat e Maqedonisë. /Fol/