Këshilli për reforma në drejtësi në Ministrinë e Drejtësisë së shpejti do të propozojë iniciativa për të cilat është biseduar në mbledhjen e djeshme. Këtë e bëri të ditur profesori Borçe Davitkovski, anëtar i Këshillit, njofton Portalb.mk.

Ai njoftoi se për t’u bërë këto ndryshime është shqyrtuar mundësia e përpilimit të një propozim-ligji për heqje të lustrimit.

“Këto janë çështjet e para por që nuk e dimë nëse ky vendim do të shkonte në mënyrë retroaktive ngaqë ka edhe shumë aspekte për të cilat duhet të bisedohet. Kemi trajtuar edhe problemin e kushteve në burgje dhe mundësinë e amnistisë, që të shikohen të gjitha aspektet që ky problem të zgjidhet. Kemi biseduar edhe për mundësinë e përsëritjes së disa rasteve gjyqësore ngaqë dukshëm shihen se kanë pasur epilog politik, nën trysni politike. Se a do të shkojë ajo nëpërmjet ndryshimit të Kodit Penal apo ndonjë mënyre tjetër, për këtë nuk kemi vendosur ende. Me një gjykim fer dhe të drejtë një numër i konsiderueshëm i rasteve gjyqësore do të përfundonin ndryshe nga ajo që ka ndodhur”, ka thënë dje në “Top Tema”, profesori Davitkovski.

Përndryshe, “Këshilli për reforma në sektorin gjyqësor” është formuar nga Ministria e Drejtësisë, me vendim të ministrit, Bilen Saliji në të cilën janë të përfshirë, gjykatës, prokurorë, profesorë universitar, ekspertë të fushës juridike.

Anëtarë të këshillit janë Lubomir Fërçkovski, Mirjana Najçevska, Gordan Kallajxhiev, Borçe Davitkovski, Besa Arifi, Mersim Maksuti, Natasha Gaber Damjanovska, Faik Arsllani, Burim Sejdini, Shefajet Hajdari, Ilir Sulejmani, Margarita Caca Nikollovska, Mirjana Llazarova Trajkovska, Xhemail Saiti, Ixhet Memeti, Naser Ajdari dhe Uranija Pirovska.

LEXO: Ministria e Drejtësisë me profesorë, prokurorë, gjykatës dhe ekspertë do ta reformojë gjyqësorin

Mirëpo, ekspertët juridik për Portalb.mk vlerësuan se së pari herë duhet të reformohet Këshilli Gjyqësor i skandalozit Zoran Karaxhovsk, pastaj duhet të vazhdohet me shkarkimin e gjykatësve politik dhe të partizuar, gjë e cila do të mundësonte amnistinë e të burgosurve politik.