Të lodhur dhe nën presion nga zvarritja e procesit të bisedimeve mes partive dhe nga mosformimi i Qeverisë. Kështu shprehen qytetarët e anketuar nga kamera e Televizionit Shenja, të cilët u bëjnë thirrje politikanëve që të jenë më të përgjegjshëm dhe më efikas.
Ata thonë se gjendja status-quo ndikon drejtpërdrejtë në jetën e tyre dhe në gjithë ambientin politik dhe social, andaj kërkojnë që sa më shpejtë të gjendet rrugëdalje.
“Po, vështirë është kështu. Vështirë është për të gjithë. Duhet të zgjidhet sa më shpejtë për të mirën tonë dhe të mirën e të gjithëve”, thotë njëra nga qytetaret e anketuara.
“Nuk është mizerie, por aty afër është gjendja, pa asgjë, nuk e dimë ku jemi. Ne nuk e ndjejmë drejtpërdrejt, por gjithsesi se ndikon kjo gjendje. Ndikon në gjithë ambientin, në rrethin tonë, gjendja është ngrirë njëjtë si ky akulli”, thotë një qytetar tjetër.
Disa qytetarë të cilët hezitonin të flasin para kamerës, thanë se me zvarritjen e vendimit për formimin e Qeverisë, kanë filluar të shqetësohen edhe për gjendjen e sigurisë në vend gjatë periudhës në vijim. Ata thonë se situate e fundit është kulmi i krizës e cila po zgjat më shumë se dy vite në vend./Shenja